Nënkryetari i BDI-së, Arjanit Hoxha, ka reaguar pas ndalimit të hyrjes në Shqipëri të disa zyrtarëve të VLEN-it, duke e lidhur këtë zhvillim me, siç thotë ai, cenimin e legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Hoxha rikujtoi mandatin e deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, duke pretenduar se ai u sigurua falë votave të partive maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM në KSHZ.

“Mandati i deputetit të VLEN-it në Njësinë Zgjedhore 6, i fituar si rezultat i bashkimit të votave në KSHZ nga partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM, ishte dëshmia më e qartë e shkeljes së legjitimitetit të përfaqësimit të shqiptarëve në Kuvend, njofton TS.

Kur vihet në pikëpyetje përfaqësimi legjitim i shqiptarëve dhe, njëkohësisht, mandatin e deputetit e bart dikush që sot shpallet ‘NON GRATA’ nga shteti amë – Shqipëria, atëherë mbetet vetëm një përfundim: Kush vepron kundër interesave të kombit të vet, herët a vonë përballet me pasojat.

P.S. KARMA…!”, ka shkruar Hoxha.

Reagimi i tij vjen pas raportimeve se deputetët e VLEN-it Adnan Azizi dhe Bekim Qoku, si dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Arsim (Hasim) Murtezani, janë ndaluar në kufirin me Shqipërinë dhe nuk janë lejuar të hyjnë në territorin shqiptar.

Nga VLEN deri më tani nuk ka një reagim zyrtar ndaj deklaratës së Arjanit Hoxhës.