Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u bëri thirrje partive opozitare që të arrijnë një qëndrim të përbashkët për Kodin Zgjedhor, duke deklaruar se shumica parlamentare është e gatshme të mbështesë pa kushte çdo propozim, për sa kohë që ai përfshin mundësinë e votimit më të lehtë për diasporën, raporton Tetovasot.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Mickoski tha se një nga dhjetë reformat që duhet të përmbushen deri në mesin e korrikut është miratimi i Kodit Zgjedhor.

Sipas tij, mënyra aktuale e votimit të diasporës nuk u mundëson mërgimtarëve ta ushtrojnë në mënyrë efektive të drejtën e votës, veçanërisht atyre që jetojnë në Australi, Kanada dhe vende të tjera përtej oqeanit, të cilët, siç tha ai, duhet të udhëtojnë me orë të tëra për të votuar, informon Tetovasot.

Mickoski akuzoi partitë opozitare se po e bllokojnë procesin. Ai tha se fillimisht partia Levica refuzoi ta mbështesë propozimin, ndërsa më pas LSDM-ja dorëzoi mijëra amendamente, duke penguar miratimin e ligjit.

“Uluni, merruni vesh dhe sillni një propozim të përbashkët. Çfarëdo që të përmbajë ai, ne do ta mbështesim pa kushte, vetëm të jetë i përfshirë votimi i diasporës”, deklaroi Mickoski, citohet nga Tetovasot.

Ai shtoi se deri më tani nuk ka asnjë përgjigje të harmonizuar nga opozita, ku përfshiu LSDM-në, Levicën, BDI-në, si dhe deputetët e opozitës shqiptare.

Sipas Mickoskit, shumica parlamentare është e gatshme të pranojë edhe ndryshime që mund të mos i favorizojnë partitë në pushtet, vetëm që procesi të përfundojë brenda afatit dhe të realizohen detyrimet e vendit në kuadër të reformave evropiane, raporton Tetovasot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume