Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani, mori pjesë në panelin “Integrimi Evropian në Praktikë: Sfida dhe Perspektiva për të Rinjtë Shqiptarë”, të organizuar në kuadër të RinCamp 2026 – N’Zë Europe, që u mbajt nga 8 deri më 11 korrik në Jalë të Himarës.

Në panel, ku morën pjesë edhe Ogerta Manastirliu, Vilma Premti dhe Denion Meidani, Limani theksoi se integrimi evropian nuk duhet të mbetet vetëm një proces institucional, por të shoqërohet me investime konkrete në arsim, mobilitet, pjesëmarrje dhe fuqizimin e të rinjve.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve u diskutua edhe për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Limani deklaroi se respektimi i së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe nuk është vetëm një detyrim juridik, por edhe një standard themelor i barazisë, respektit reciprok dhe bashkëjetesës ndëretnike, në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian.

Ai vlerësoi se avancimi i procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut lidhet ngushtë me respektimin e plotë të të drejtave të njeriut dhe të komuniteteve, përfshirë garantimin efektiv të përdorimit të gjuhës shqipe në jetën publike dhe institucionale.

Sipas Limanit, tejkalimi i ngërçit politik në Maqedoninë e Veriut kërkon zgjidhje demokratike, ndërsa zgjedhjet e parakohshme mbeten mekanizmi më legjitim për rikthimin e besimit të qytetarëve dhe krijimin e institucioneve me mandat të qartë për të çuar përpara reformat dhe procesin e integrimit evropian.

Në përfundim, ministri theksoi se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk janë konkurrente, por partnerë strategjikë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke nënvizuar se investimi te të rinjtë është garancia më e fortë për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të zhvilluar dhe plotësisht të integruar në familjen evropiane.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume