Policia dyshon se përmes tri pompave është injektuar ujë në gypin kryesor për të rritur presionin në rrjet, në rrezik shëndeti i qytetarëve informon Tetovasot

Një rast i rëndë që ngre dyshime për rrezikim të shëndetit publik është duke u hetuar në Gostivar. Policia dhe Prokuroria Themelore Publike kanë nisur hetime urgjente pas dyshimeve se në sistemin e ujësjellësit të qytetit është futur ujë nga ujërat e zeza.

Sipas njoftimit zyrtar, më 16 korrik 2026 rreth orës 18:20, inspektorët e Zyrës së Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar, me urdhër të prokurorit publik, kanë ndërmarrë veprime hetimore në fshatin Vrutok.

Sipas dyshimeve fillestare, Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi”, në bashkëpunim me Komunën e Gostivarit, ka vendosur tri pompa në shtratin e ujërave të zeza rrjedhëse, përmes të cilave është injektuar ujë drejtpërdrejt në gypin kryesor që furnizon qytetin me ujë të pijshëm.

“Ky aktivitet me sa duket është ndërmarrë me qëllim të rritjes së presionit në rrjet për shkak të mungesës së ujit të pijshëm, me çka rrezikohet drejtpërdrejt shëndeti i qytetarëve të Gostivarit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet po hetojnë rastin nën dyshimin për veprën penale “ndotje e ujit të pijshëm”, e paraparë në nenin 219 të Kodit Penal.

Në hetime janë përfshirë edhe Instituti i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor, si dhe një ekspert i licencuar, i cili do të kryejë vlerësimin profesional të sistemit të vendosur.

Rasti është në fazë hetimore dhe autoritetet pritet të publikojnë më shumë detaje pas përfundimit të ekspertizave.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume