Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti ka pritur në Shkup këngëtarin e njohur shqiptar Ylli Limani, me të cilin vizitoi Universitetin “Nënë Tereza” dhe kampusin e ri universitar në ndërtim. Mexhiti theksoi rëndësinë e investimeve në arsimin shqip dhe rolin që arti e kultura kanë në frymëzimin e të rinjve, duke e cilësuar Ylli Limanin si një model pozitiv për brezat e rinj përcjell INA.

Postimi i tij i plotë:

Shkupi sot mirëpret një prej zërave më të spikatur të muzikës shqiptare. Para koncertit të tij, bashkë me Ylli Limanin vizituam Universitetin Nënë Tereza, ku pamë nga afër ecurinë e ndërtimit të kampusit universitar, një nga investimet më të mëdha në historinë e shtetit tonë për arsimin në gjuhën shqipe. Ishte simbolike që pikërisht aty të flisnim për të ardhmen e të rinjve dhe për rëndësinë e investimit te dija.
Biseduam për të rinjtë, për rëndësinë e krijimit të mundësive për ta dhe për projektet që po i realizojmë në funksion të rinisë shqiptare. Më bëri përshtypje fakti se, përtej suksesit si artist, Ylli është një i ri me kulturë, mendim të pjekur dhe një mënyrë të veçantë të të parit të gjërave.
Besoj se arti dhe kultura kanë një fuqi të jashtëzakonshme për të frymëzuar brezat e rinj, po aq sa edhe politikat e mira. Prandaj, artistë si Ylli janë më shumë se emra të suksesshëm në skenë; ata janë modele që ndikojnë te mijëra të rinj.
I urova një koncert të suksesshëm sonte në Shkup dhe shumë suksese në rrugëtimin e tij artistik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume