Finalja e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të zhvillohet në stadiumin MetLife, pritet të sjellë një risi historike në mënyrën se si shpërblehet skuadra kampione.

FIFA ka njoftuar se ekipi që do ta ngrejë trofeun këtë të diel, më 19 korrik, do të marrë unaza të personalizuara, të numëruara dhe të krijuara posaçërisht për kampionët, në një traditë të frymëzuar nga ligat e mëdha sportive amerikane si NBA dhe NFL.

Sipas FIFA-s, do të krijohen gjithsej 2,026 unaza për të simbolizuar vitin e këtij Botërori. Prej tyre, 30 unaza do t’u jepen lojtarëve dhe stafit teknik të kombëtares fituese, ndërsa 1,996 të tjera do të dalin në shitje për publikun si artikuj zyrtarë koleksionistësh me certifikata autenticiteti.

Çmimi i unazave ende nuk është bërë i ditur, por pritet të jetë i lartë për shkak të dizajnit ekskluziv dhe karakterit të tyre koleksionues. Dizajni do të kombinojë pamjen e trofeut të Kupës së Botës me elemente të identitetit të kombit fitues.

Sipas planit të organizatorëve, pas përfundimit të ndeshjes, kapiteni dhe trajneri i ekipit kampion do të marrin fillimisht unaza të përkohshme para ngritjes së trofeut.

Më pas, në një ceremoni private, secili prej 30 anëtarëve të ekipit do të marrë unazën e tij përfundimtare.

Trofeun kryesor në ceremoninë e finales pritet ta prezantojë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili kishte pasur një rol të ngjashëm edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube në vitin 2025.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume