Spitali Klinik i Tetovës ka shprehur solidaritet dhe mbështetje të plotë për kolegët në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit, të cilët po përballen me një fluks të shtuar pacientësh.
Përmes një njoftimi publik, Spitali Klinik i Tetovës thekson se është plotësisht i gatshëm që, nëse paraqitet nevoja dhe kërkohet nga institucionet kompetente, të vërë në dispozicion kapacitetet e tij njerëzore dhe profesionale për t’i dalë në ndihmë Spitalit të Gostivarit.
“Shëndeti i qytetarëve është përgjegjësi e përbashkët dhe në situata të tilla bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shëndetësore është thelbësor”, thuhet në reagim.
Nga Spitali Klinik i Tetovës shtojnë se mbeten në gatishmëri të plotë për të ofruar çdo mbështetje të nevojshme, në interes të pacientëve dhe të shëndetit publik.
Në fund, institucioni u ka uruar shërim sa më të shpejtë të gjithë pacientëve dhe ka shprehur shpresën që situata në Gostivar të vihet sa më shpejt nën kontroll.