Alo, Afrim Gashi! Alo, VLEN! Kujt po i shërbeni? – Halil Snopçe akuzon se ligjet për universitetet kalojnë me procedurë rrufe, deputetët lihen jashtë!
Sot në Kuvendin e Maqedonisë ndodhi një precedent i rrezikshëm, i denjë për regjimet autokratike dhe jo për një shtet që pretendon se respekton demokracinë dhe procedurat parlamentare.
Në orën 14:50 u njoftuam se janë tërhequr Ligji për arsimin e lartë, Ligji për sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë dhe shkencë, si dhe Ligji për veprimtarinë hulumtuese. Vetëm pak minuta më vonë, të njëjtat ligje u ridorëzuan në Kuvend dhe, me një shpejtësi të paparë, u caktua mbledhja e Komisionit për Arsim për sot në orën 16:30.
Unë, si deputet, ditën e sotme e kisha planifikuar për takime me qytetarët në Gostivar. Njoftimin për mbledhjen e mora në orën 16:36, kur komisioni tashmë duhej te kishte filluar punën. Edhe po ta kisha marrë më herët, nuk ekziston asnjë mundësi reale që një deputet të udhëtojë nga Gostivari në Shkup brenda pak minutash.
Kjo nuk është thjesht çështje organizimi. Kjo është çështje e demokracisë, e transparencës dhe e respektimit të rolit të deputetit. Rregullorja e Kuvendit parasheh që seancat dhe mbledhjet e komisioneve të caktohen në afate të arsyeshme kohore, pikërisht për të garantuar pjesëmarrjen dhe debatin parlamentar.
Pse ky nxitim i pazakontë? Çfarë fshihet pas këtij skenari? Pse ligje kaq të rëndësishme, që prekin drejtpërdrejt arsimin e lartë dhe universitetet shqiptare në vend, tentohen të kalojnë larg syve të opinionit dhe pa praninë e deputetëve?
Vetëm dje, gjatë seancës plenare, paralajmëruam për mënyrën arrogante dhe përjashtuese me të cilën po sillet shumica parlamentare. Sot, fatkeqësisht, ata e vërtetuan edhe një herë se dialogu dhe debati demokratik nuk janë prioritet i tyre.
Prandaj, shtroj publikisht pyetjen: a jetojmë ende në një shtet demokratik apo kemi hyrë në fazën kur vendimet merren në mënyrë autokratike, duke anashkaluar institucionet dhe përfaqësuesit e qytetarëve?
Alo, Afrim Gashi! Alo, VLEN! Kujt po i shërbeni? Interesit publik, universiteteve dhe qytetarëve, apo dikujt tjetër?