Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, sot zhvilloi takim me Nicole Varns, ushtruese e detyrës së shefes së Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku u konfirmua bashkëpunimi i fortë dhe i vazhdueshëm ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë dhe SHBA-së si partner strategjik në zbatimin e reformave në sistemin e drejtësisë.

Një njoftim theksohet se, në takim është diskutuar për prioritetet kyçe të Ministrisë së Drejtësisë, me theks të veçantë te reformat në drejtësi, sundimi i ligjit, digjitalizimi i sistemit gjyqësor, agjenda legjislative dhe lufta kundër korrupsionit. Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkoi që në periudhën e ardhshme të mundësohet shkëmbimi i përvojave dhe ofrimi i ndihmës ekspertësh nga SHBA-ja në fushën e legjislacionit penal.

Ministri Shasivari ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ofron Ministrisë së Drejtësisë dhe proceseve reformuese në vend, duke theksuar se ajo luan një rol të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe në avancimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe reforma e legjislacionit penal, e cila mbetet një nga prioritetet strategjike të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë drejtim, u theksua se ka filluar zbatimi i projektit “Mbështetje për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Drogat në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, i financuar nga Byroja për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) pranë Departamentit Amerikan të Shtetit.
Në takim u konfirmua angazhimi i përbashkët për thellimin e mëtejshëm të partneritetit përmes projekteve të reja të përbashkëta, mbështetjes së ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojave në fushat me interes të përbashkët.

Ministria e Drejtësisë mbetet e përkushtuar fuqishëm në zbatimin e reformave, forcimin e sundimit të ligjit dhe përmbushjen e standardeve evropiane, në interes të qytetarëve dhe të integrimit evropian të shtetit. (INA)

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume