Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske lidhur me atë se a ka informacione të reja për situatën në Komunën e Gostivarit, duke pasur parasysh se është shpallur epidemi, si dhe nëse ai vlerëson se ekziston përgjegjësi morale te funkcionarë të caktuar, deklaroi:

„Ne, si institucione, brenda dy ditësh e kryem punën tonë edhe si Qeveri. Këtë mëngjes u informova nga Instituti i Shëndetit Publik se gjithçka që ishte në kompetencë të tyre është përfunduar dhe i është dorëzuar Prokurorisë. Tani radhën e ka Prokuroria, përkatësisht prokurori, i cili duhet të dalë me kualifikimin.

Njëkohësisht, gjatë ditës së djeshme, si Qeveri ndërmorëm hapin për të siguruar 50.000 litra ujë të pijshëm të ambalazhuar për qytetarët e Gostivarit. Kjo do të vazhdojë çdo ditë. Sasitë e djeshme u shpërndanë këtë mëngjes, ndërsa sot presim edhe tre kamionë të tjerë, me mbi 20.000 litra secili, pra rreth 60.000 litra gjithsej, të cilët presim të shpërndahen gjatë ditës.

Por ajo që është shumë e rëndësishme që uji në Gostivar të përdoret vetëm për nevoja teknike, sepse sipas rekomandimeve të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë dhe Institutit të Shëndetit Publik, uji nuk duhet të përdoret as për nevoja teknike. Në thelb, e gjithë kjo që po bëjmë është përgjegjësi e vetëqeverisjes lokale, por kur atje ka letargji, atëherë Qeveria duhet të reagojë dhe të ndërmarrë hapa, siç bëmë gjatë këtyre dy ditëve.

Tani Ndërmarrja Publike “Ujësjellësi” në Gostivar duhet të fillojë pastrimin e sistemit, në mënyrë që qytetarët të mund ta përdorin ujin për nevoja teknike dhe higjienë, sepse në gjendjen aktuale ai nuk duhet të përdoret as për higjienë.

Pra, që nga sot e tutje, “NP Ujësjellësi” duhet të nisë pastrimin e sistemit dhe klorimin e tij, me qëllim që brenda një, dy ose tre ditësh qytetarët ta përdorin ujin për nevoja teknike. Kjo tashmë është në kompetencë të vetëqeverisjes lokale.

Sa i përket përgjegjësisë morale, absolutisht të gjithë, nga i pari deri tek i fundit, duhet të mbajnë përgjegjësi, përveç përgjegjësisë tjetër me të cilën, besoj, do të merret Prokuroria. Pres që nga kryetari i komunës e gjithë të tjerët të mbajnë përgjegjësi të caktuar morale.

Ndërsa ne, si institucione qeveritare, do të vazhdojmë edhe më tej, aq sa është e mundur, me iniciativa si ajo e djeshmja, për t’ua lehtësuar jetën qytetarëve të Gostivarit në furnizimin me ujë të pijshëm dhe që një pjesë e atij uji të mund të përdoret për nevoja teknike dhe higjienë.”