Me ftesë të kryetares së Këshillit për Barazi të Parlamentit të Malit të Zi, Jelenka Andriq,
kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve të Kuvendit të
Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zhaklina Peshevska, dhe deputetja Lidija Petkoska,
anëtare e Komisionit, morën pjesë në Mbledhjen e Nëntëmbëdhjetë të Parlamentit të
Grave, që u mbajt në Podgoricë me rastin e shënimit të 25-vjetorit të themelimit të Këshillit
për Barazi dhe vendosjes së mekanizmit institucional për avancimin e barazisë në Mal të
Zi.
Evenimenti ishte mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe qëndrime midis parlamentareve
nga rajoni mbi sfidat dhe arritjet në avancimin e barazisë, si dhe mbi rolin e parlamenteve në krijimin e politikave që sigurojnë mundësi të barabarta dhe pjesëmarrje më të madhe të
grave në jetën publike dhe politike.
Në kuadër të vizitës, u mbajt takimi midis kryetares së Komisionit për Mundësi të Barabarta
të Femrave dhe Meshkujve të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zhaklina
Peshevska, dhe kryetares së Këshillit për Barazi të Parlamentit të Malit të Zi, Jelenka
Andriq. Në takim u shkëmbyen përvoja dhe praktika të mira në punën e dy komisioneve,
dhe u diskutuan mundësitë për intensifikim të mëtejshëm të bashkëpunimit
ndërparlamentar, zbatimin e aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta, si dhe për
avancimin e rolit legjislativ dhe mbikëqyrës të trupave parlamentarë në fushën e barazisë.
Barazia nuk është çështje e izoluar, por është vlerë themelore demokratike dhe tregues i
rëndësishëm i zhvillimit të shoqërive moderne demokratike. U theksua se progresi i vërtetë
matet përmes rezultateve konkrete që përmirësojnë kushtet e jetesës së qytetarëve dhe
sigurojnë qasje të barabartë në të drejtat, mundësitë dhe drejtësinë.
Njëkohësisht, u shpreh gatishmëria e ndërsjellë për të thelluar më tej bashkëpunimin midis
parlamenteve të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si në nivel dypalësh
ashtu edhe në atë rajonal. Në këtë kontekst, u theksua se nëpërmjet shkëmbimit të
vazhdueshëm të përvojave, praktikave të mira dhe iniciativave të përbashkëta, mund të
jepet kontribut i rëndësishëm në krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse, të drejta dhe të barabarta, në të cilat mundësitë e barabarta janë vlerë thelbësore dhe parakusht për
zhvillim të qëndrueshëm demokratik.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume