Shkruan: Enver Robelli
Nëse është plotësisht e vërtetë çfarë po raportohet në media mbi vdekjen e tre njerëzve nga Kosova në një autostradë të papërfunduar në Maqedoni, atëherë ky është krim. Krim me paramendim. Krim shtetëror! Sipas raporteve të mediave, banorëve të fshatit Bllacë dhe familjarëve të viktimave, aksidenti fatal ka ndodhur si pasojë e MUNGESËS së sinjalistikës. Alsat njofton se rruga edhe “në pjesën e epërme edhe në fillim kur kyçemi në autostradë nuk ka asnjë shenjë përmes së cilës nënkuptohet se është e ndaluar hyrja”.
Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë një hetim të paanshëm dhe transparent të këtij aksidenti trishtues. Tre njerëz ishin nisur nga Kosova për të marrë një familjare në Aeroportin e Shkupit dhe tani ata po kthehen në arkivole.
Papërgjegjësia e autoriteteve në punët publike kudo në Ballkan është e frikshme. Dhe shpesh vdekjeprurëse. Në janar të vitit 2024 një pjesë e pullazit të ndërtesës së komunës së Prishtinës në Dragodan u rrëzua si pasojë e erërave të forta dhe lëndoi tepër rëndë një vajzë 23-vjeçare. Ekspertët konstatuan se ndërtimi ishte bërë jashtë standardeve. Pallati i Drejtësisë në Prishtinë është inauguruar solemnisht e me pompozitet në vitin 2014. Dhe që nga atëherë ka probleme: dimrit mban acar, verës shndërrohet në saunë. Madje për shkak të temperaturave të larta disa punëtorë me sëmundje kronike këtë muaj janë liruar nga puna. Por kjo nuk është zgjidhje e problemit. Pakujdesia, papërgjegjësia, mungesa e kontrollit dhe inspektimeve kushtojnë – jetë dhe para nga buxheti.