Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) njoftoi se zyrtarët policorë vazhdojnë të jenë në terren, duke vepruar sipas të gjitha raportimeve për pasojat e stuhisë së fuqishme, në koordinim me institucionet e tjera kompetente.
MARKETING
Sipas MPB-së, aktivitetet janë të përqendruara në garantimin e sigurisë publike, pastrimin e dëmeve dhe rikthimin e funksionimit normal të trafikut dhe shërbimeve publike.
Dëmet më të mëdha janë regjistruar në rajonin e Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Shkup. Deri në orën 22:00 të mbrëmjes së kaluar janë evidentuar 117 automjete të dëmtuara, 35 çati të dëmtuara, 189 pemë të rrëzuara, shtatë semaforë të dëmtuar, pesë zjarre dhe 10 persona të lënduar.
Stuhia ka shkaktuar dëme edhe në disa institucione shtetërore dhe objekte me rëndësi të veçantë. Sipas MPB-së, dëme janë regjistruar në objektet e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, kompleksin “Vila Vodno”, Bazën Policore në Aeroportin e Petrovecit, ndërtesën “Nova Makedonija”, si dhe në objektet e Ministrisë së Financave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Prokurorisë Publike.
Në Kumanovë janë raportuar nëntë automjete dhe tre çati të dëmtuara. Në rajonin e SPB Tetovë janë evidentuar pesë raste, përkatësisht tre automjete dhe dy çati të dëmtuara, ndërsa në Gostivar nuk janë raportuar dëme materiale apo persona të lënduar.
Në zonën e SPB Veles janë regjistruar dy automjete të dëmtuara nga pemët e rrëzuara, ndërsa në Shtip janë raportuar 14 automjete dhe gjashtë çati të dëmtuara.
Në rajonin e Strumicës, erërat e forta kanë rrëzuar shtylla elektrike në fshatrat Dobroshinci dhe Gradosorci, duke shkaktuar ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në fshatin Svidovicë.
Nga MPB bëjnë të ditur se në rajonin e Manastirit nuk janë regjistruar pasoja më të mëdha, përveç një ere të fortë afatshkurtër në zonën e Makedonski Brodit, pa dëme materiale.