Presidentja e Indisë, Drupadi Murmu në ditën e dytë të vizitës zyrtare në vend, sot bashkë me presidenten Gordana Siljanovska Davkova do t’i vizitojnë Shtëpinë Përkujtimore të Nënës Terezë dhe Muzeun e Qytetit të Shkupit, ku do të flasin në ceremoninë e zbulimit të bustit të Mahatma Gandit.
Pas ceremonisë në Muzeun e qytetit të Shkupit, presidentja Siljanovska – Davkova dhe presidentja Murmu do të nisen drejt Ohrit, ku do ta vizitojnë kompleksin e manastirit Shën Naum, si dhe manastire dhe kisha në Qytetin e Vjetër të Ohrit.
Dje, në ditën e parë të vizitës së presidentes indiane bashkë me delegacionin qeveritar dhe të biznesit, në takimin në Vila Vodno me Siljanovska Davkovën, i konfirmuan marrëdhëniet miqësore, vlerat e përbashkëta dhe respektin e ndërsjellë ndërmjet Maqedonisë dhe Indisë.
Siç tha presidentja në konferencën e përbashkët për media me Murmu, e konfirmuan vendosmërinë e përbashkët që marrëdhëniet dypalëshe të ngriten në nivel edhe më të lartë, e përshëndetën intensitetin e përforcuar të dialogut politik pas shkëmbimeve të ministrave ndërmjet Shkupit dhe Nju Delhit dhe u pajtuan se kontaktet ndërmjet qeverive, ministrive, parlamenteve dhe institucioneve duhet të bëhen më të shpeshta, më mirë të strukturuara dhe më ambicioze.
Gjatë bisedimeve, ata identifikuan fusha të shumta për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, duke përfshirë industrinë e automobilave, farmaceutike, kujdesin shëndetësor, teknologjitë e informacionit, “autsourcing-un e proceseve të biznesit, burimet e energjisë së rinovueshme, bujqësinë, industrinë ushqimore, inxhinierinë mekanike, logjistikën dhe prodhimin e përparuar.
Presidentja e Indisë, Drupadi Murmu, është e sigurt se vizita e saj në vend do të hapë kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe do t’i fuqizojë partneritetet ndërmjet Maqedonisë dhe Indisë, por se do t’i ngritë edhe në një nivel më të lartë. Ajo theksoi se duan të promovojnë tregti më të mirë dhe investime dhe të inkurajojnë bashkëpunim më të mirë ndërmjet bizneseve nga të dyja vendet.
“Gjithashtu ramë dakord të zgjerojmë tregtinë dypalëshe me dyfishin e vëllimit aktual. Diskutuam bashkëpunimin në sektorët kryesorë, duke përfshirë (TI), bujqësinë, përpunimin e ushqimit, farmaceutikën, turizmin, gastronominë dhe artet audiovizuale. Forumi i sotëm i biznesit do të jetë platformë e shkëlqyer për të diskutuar këto çështje. Kemi një memorandum bashkëpunimi në kujdesin shëndetësor, kemi rënë dakord të forcojmë bashkëpunimin në këtë fushë, veçanërisht në promovimin e mjekësisë tradicionale”, theksoi presidentja indiane.
Dje pasdite u mbajt Forumi i Biznesit Maqedoni-Indi, ku u prezantuan mundësitë për investim në vend. Porosia kryesore nga forumi ishte forcimi i marrëdhënieve tregtare midis Maqedonisë së Veriut dhe Indisë me qëllim arritjen e të paktën 400 milionë dollarëve amerikanë në shkëmbim tregtar në pesë vitet e ardhshme, gjë që do të riafirmojë vërtet marrëdhëniet midis dy vendeve.
Njeriu i Parë i Shoqatës së Odave Ekonomike dhe Industrisë së Indisë (ASSOCHAM), Nirmal Kumar Minda, tha se India sot është shtëpia e infrastrukturave më të mëdha digjitale, një ekosistemi të gjallë investimesh dhe një nga fuqitë punëtore më të reja në nivel global. Nga ana tjetër, theksoi ai, Maqedonia ofron avantazhe të rëndësishme strategjike: vendndodhja e saj gjeografike në udhëkryqin e korridoreve të rëndësishme evropiane, fuqia punëtore e kualifikuar, investimet e udhëhequra nga politika e jashtme dhe qasja në tregun evropian e bëjnë Maqedoninë një destinacion tërheqës për kompanitë indiane që kërkojnë një prani më të fortë në Evropë. Kjo është vizita e parë një presidenti indian në shtet. përcjell Zhurnal.mk .