Me mbështetje teknike nga Bashkimi Evropian, Ministria e energjisë, minierave dhe
burimeve minerale ka përfunduar me sukses Studimin e parë gjithëpërfshirës për
Hidrogjenin në Maqedoni – një dokument strategjik që hap rrugën drejt ekonomisë së
ardhshme të hidrogjenit dhe e pozicionon shtetin si pjesë të së ardhmes energjetike
evropiane.
Studimi është hartuar me ndihmë teknike të financuar nga Bashkimi Evropian përmes
programit IPA II, në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor
(WBIF) dhe Instrumentit për Projektet e Infrastrukturës 10 (IPF10), si pjesë e projektit
për ndërlidhjen e gazit natyror ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.
Ky është dokumenti i parë kombëtar që analizon në mënyrë gjithëpërfshirëse mundësitë
për prodhimin, transportin, ruajtjen dhe përdorimin e hidrogjenit të gjelbër, si një
nga energjentët kryesorë të së ardhmes, në sektorët e energjetikës, industrisë,
transportit dhe sistemeve të ngrohjes qendrore.
Studimi konfirmon se Maqedonia ka potencial real për të zhvilluar gradualisht një
ekonomi të hidrogjenit dhe për t'u bërë pjesë aktive e infrastrukturës së ardhshme
evropiane të hidrogjenit. Në dokument theksohet se shteti, së bashku me Serbinë dhe
Greqinë, ka një pozitë strategjike në kuadër të Rrjetit Panevropian të Hidrogjenit dhe
European Hydrogen Backbone, rrjeti i ardhshëm evropian për transportin ndërkufitar
të hidrogjenit të pastër.
Veçanërisht e rëndësishme është se interkoneksioni i ri i gazit me Greqinë, ndërtimi i të
cilit është në zhvillim, është projektuar për transportin e 100% hidrogjenit. Gjithashtu,
sipas dokumentacionit të tenderit për përzgjedhjen e projektuesit dhe zbatuesit të
interkoneksionit të ardhshëm të gazit me Serbinë, është paraparë që edhe ai të jetë
plotësisht i përgatitur për transportin e 100% hidrogjenit. Në këtë mënyrë, të dy
interkoneksionet do të përbëjnë segmente kyçe të shtyllës kombëtare të ardhshme të
hidrogjenit dhe do të kontribuojnë në integrimin rajonal në tregun evropian të
hidrogjenit..
Me hartimin e këtij studimi, Maqedonia renditet ndër vendet e pakta në rajon që tashmë
disponojnë një dokument strategjik për zhvillimin e sektorit të hidrogjenit, gjë që përbën
një përparësi të rëndësishme në procesin e tranzicionit energjetik dhe harmonizimit me
politikat evropiane.
Dokumenti përmban skenarë konkretë për zhvillimin e hidrogjenit deri në vitin 2050, me
analiza për integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, zhvillimin e korridoreve të hidrogjenit, përdorimin e tij në industri dhe transport, si dhe mundësitë për uljen e
ndjeshme të emetimeve të gazeve serrë.
Hartimi i Studimit për Hidrogjenin përbën edhe një dëshmi të përkushtimit të Ministrisë
së energjisë, minierave dhe burimeve minerale për përshpejtimin e tranzicionit
energjetik, dekarbonizimin e sektorit të energjisë dhe krijimin e një sistemi energjetik
modern, të qëndrueshëm dhe konkurrues.
Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Maqedonia vazhdon në
mënyrë aktive t’i harmonizojë politikat e saj energjetike me rregulloret evropiane dhe
iniciativat strategjike, me qëllim sigurimin e një sigurie më të madhe energjetike,
investimeve të reja dhe zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.
Studimi për Hidrogjenin nuk është vetëm një analizë e mundësive të ardhshme – ai
është një udhërrëfyes për epokën e re energjetike, në të cilën Maqedonia po
pozicionohet me kohë si partner në rrjetin evropian të hidrogjenit dhe si pjesëmarrëse në
krijimin e një ekonomie të pastër me emetime të ulëta të karbonit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume