Ministri Goran Minçev takon përfaqësuesin e SIGMA-s, vazhdon bashkëpunimi për reformën në administratën publike
Shkup, 23 korrik 2026 – Ministri i Administratës Publike, Goran Minçev, zhvilloi një takim pune me Bagrat Tunjan, koordinator për Maqedoninë nga SIGMA, iniciativa e përbashkët e OECD-së dhe Bashkimit Evropian informon Tetovasot.
Në takim u diskutuan aktivitetet aktuale lidhur me reformën e administratës publike, si dhe përgatitjet për misionin e ardhshëm vlerësues të SIGMA-s, i cili do të fokusohet në monitorimin dhe vlerësimin e progresit të reformave, si dhe në përcaktimin e prioriteteve të reja në kuadër të Planit të Veprimit për Strategjinë e Reformës së Administratës Publike 2023–2030.
Ministri Minçev theksoi se bashkëpunimi i vazhdueshëm me SIGMA-n përbën një mbështetje të rëndësishme në ndërtimin e një administrate publike profesionale, efikase dhe moderne, në përputhje me standardet evropiane dhe parimet e qeverisjes së mirë.
“Qëllimi ynë është që reformat në administratën publike të jenë të qëndrueshme, të bazuara në kritere të qarta dhe rezultate të matshme. Në këtë proces, mbështetja dhe rekomandimet e SIGMA-s kanë rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejshëm të sistemit”, deklaroi ministri Minçev.
Bashkëbiseduesit diskutuan edhe prioritetet kryesore për periudhën e ardhshme, të orientuara drejt sigurimit të vazhdimësisë së procesit reformues, planifikimit më të mirë të aktiviteteve dhe monitorimit efektiv të progresit në përputhje me parimet evropiane të qeverisjes së mirë.
Ministria e Administratës Publike njoftoi se do të vazhdojë komunikimin e rregullt dhe bashkëpunimin me SIGMA-n dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë, me synimin për të zbatuar reforma cilësore që do të kontribuojnë në institucione më efikase dhe shërbime më të mira për qytetarët.TS



