Komiteti i Trashëgimisë Botërore i UNESCO-s, në sesionin vjetor që po mbahet në qytetin Busan të Koresë së Jugut, vendosi të shtyjë futjen e Rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore kulturore dhe historike në rrezik.
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, e cilësoi këtë si një sukses të rëndësishëm diplomatik për vendin, rezultat i një veprimi të koordinuar shtetëror të udhëhequr nga kryeministri.
“Dëshmuam se diplomacia nuk është vetëm pjesëmarrje në takime ndërkombëtare, por aftësi përmes partneritetit të krijojë besim dhe të mbrojë interesat më të rëndësishme shtetërore dhe kombëtare”, tha Mucunski.
Në propozimin fillestar të vendimit ishte paraparë që Rajoni i Ohrit menjëherë të vendosej në listën e trashëgimisë botërore në rrezik. Me miratimin e amendamentit, kjo formulim u hoq dhe rajoni, në këtë fazë, nuk do të futet në atë listë, duke ruajtur statusin e trashëgimisë botërore natyrore dhe kulturore të UNESCO-s.
Sipas Mucunskit, ky rezultat erdhi pas koordinimit mes institucioneve shtetërore, përfshirë Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, Ministrinë e Transportit, Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, komunat e Ohrit dhe Strugës, si dhe Ambasadën e Maqedonisë së Veriut në Paris, e cila pati rol të rëndësishëm në komunikimin me UNESCO-n dhe vendet anëtare të Komitetit të Trashëgimisë Botërore.
“Zhvilluam konsultime diplomatike intensive, prezantuam qëndrimet tona, detyrimet e marra dhe vullnetin politik për mbrojtjen e Rajonit të Ohrit. Përmes dialogut arritëm të afrojmë qëndrimet dhe të sigurojmë mbështetjen e nevojshme për vendimin përfundimtar”, tha ministri.
Ai theksoi se Rajoni i Ohrit është një pasuri natyrore dhe kulturore me vlerë të jashtëzakonshme universale, rëndësia e së cilës tejkalon kufijtë kombëtarë.
“Liqeni i Ohrit, me veçantinë natyrore, biodiversitetin dhe trashëgiminë e pasur kulturo-historike, është një pasuri e paçmuar botërore. Si pjesë e trashëgimisë së UNESCO-s, rajoni është simbol i traditës sonë historike dhe kulturore, por edhe i bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, deklaroi Mucunski.
Vendimi i UNESCO-s i jep Maqedonisë së Veriut një afat shtesë prej pesë vitesh për zbatimin e rekomandimeve që lidhen me mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit, si dhe zbatimin e planit strategjik për rehabilitimin e tij deri në vitin 2030.