Sipas një raportimi të gazetarit Fabrice Hawkins, Paris Saint-Germain nuk ka ndërmend të paguajë më shumë se sa e vlerëson të arsyeshme për transferimin e Yan Diomandes nga RB Leipzigu gjatë kësaj vere, pasi në garë për sulmuesin 19-vjeçar nga Bregu i Fildishtë janë futur edhe klube të tjera të mëdha.
Real Madridi është klubi më i fundit që ka shprehur interesim për talentin e ri, me madrilenët që janë afër të kompletojnë transferimin e tij.
Diomande kishte arritur më herët marrëveshje për kushtet personale me kampionët e Francës dhe Evropës, PSG-në.
Megjithatë, me rritjen e interesimit nga klubet e tjera, shuma që kërkohet për të finalizuar transferimin pritet të jetë më e lartë sesa ishte parashikuar fillimisht.
Sulmuesi i RB Leipzigut thuhet se ka arritur marrëveshje për kushtet personale edhe me klubin spanjoll, sipas raportimeve të Fabrizio Romanos.
Gjithsesi, PSG ka arsye të shqetësohet se mund të dalë sërish e humbur në garën me Real Madridin, pasi më herët edhe Endrick dhe Franco Mastantuono zgjodhën klubin madrilen përpara gjigantit francez.
Reali veçse kishte bërë ofertën e parë për të, me Leipzigun që e refuzoi ofertën prej 90 milionë eurosh, plus 10 të tjera në bonuse.
Sipas raportimeve që vijnë nga gazetarë të njohur evropianë, marrëveshja për Yan Diomanden te Reali mund të mbyllet me një shumë totale që kap shifrën 120/130 milionë euro.