Heroi i Kepit të Gjelbër në Kupën e Botës, Vozinha, ka siguruar zyrtarisht një transferim te gjiganti kilian Colo-Colo, pas paraqitjeve të tij mbresëlënëse në skenën botërore.
Portieri veteran u bë një sensacion viral gjatë turneut të verës, duke tërhequr interes nga klube në mbarë botën përpara se të vendoste të vazhdonte karrierën në Amerikën e Jugut.
Në një lëvizje që surprizoi shumëkënd, gjiganti kilian Colo-Colo ka zyrtarizuar transferimin e Josimar Dias, i njohur në botën e futbollit si Vozinha.
Portieri 40-vjeçar ka firmosur një kontratë 18-mujore dhe i bashkohet klubit si lojtar i lirë, pasi i skadoi kontrata me ekipin e tij të mëparshëm.
Klubi kilian, që ka fituar 34 herë titullin kampion dhe një herë Copa Libertadores, e prezantoi përforcimin e ri me një mesazh të shkurtër në rrjetet sociale: “Mirë se erdhe. Po të presim”.
Vozinha i bashkohet një klubi me histori të pasur dhe që aktualisht po dominon futbollin kilian.
Colo-Colo kryeson renditjen me 13 pikë më shumë se rivali Club Deportivo Universidad Católica.
Me afrimin e portierit veteran, skuadra ka shtuar në organikë një futbollist që tregoi se, pavarësisht moshës, vazhdon të jetë konkurrues në nivelin më të lartë ndërkombëtar.
Ky transferim i jep fund spekulimeve për të ardhmen e tij, pasi më parë ishte lidhur me disa klube, përfshirë edhe Inter Miami në MLS.
Emri i Vozinhas u bë i njohur në mbarë botën gjatë rrugëtimit historik të Kepit të Gjelbër deri në fazën e 1/16-ës së Kupës së Botës.
Në ndeshjen hapëse ndaj kampiones së botës, Spanjës, ai realizoi shtatë pritje spektakolare në barazimin pa gola.
Me atë paraqitje, ai u bë portieri më i vjetër që ka mbajtur portën e paprekur në debutimin e vendit të tij në Kupën e Botës.
“Peshkaqenët Blu” u mbështetën te përvoja e tij gjatë gjithë fazës së grupeve, duke arritur rezultate përtej çdo pritshmërie.
Paraqitjet e tij nuk e ndihmuan vetëm ekipin në fushë, por e shndërruan edhe në një fenomen global. Para nisjes së turneut ai kishte rreth 50 mijë ndjekës në Instagram, ndërsa pas ndeshjes ndaj Spanjës kjo shifër u rrit në afro 14 milionë.
Në momentin e transferimit te Colo-Colo, numri i ndjekësve të tij ka arritur në 29.5 milionë, duke treguar ndikimin e jashtëzakonshëm që pati gjatë Kupës së Botës në Amerikën e Veriut.
Kulmi i turneut për Vozinhan erdhi në ndeshjen e 1/16-ës ndaj kampiones në fuqi, Argjentinës. Portieri realizoi tetë pritje, katër prej tyre ndaj Lionel Messit, përfshirë edhe një ndërhyrje spektakolare ndaj një goditjeje dënimi karakteristike të yllit të Inter Miami.
Megjithatë, pavarësisht paraqitjes heroike të portierit, Kepi i Gjelbër u eliminua pas humbjes së ngushtë 3-2 ndaj Argjentinës.
Pas ndeshjes, Vozinha zbuloi një moment emocionues me Lionel Messin, që, sipas tij, do ta kujtojë përjetë.
“Shkova te Messi pas ndeshjes. Ai më përqafoi dhe më tha: ‘Ti je i madh. Populli yt duhet të jetë krenar për ty’. Ishte diçka e pabesueshme për mua.”
Portieri shtoi se më pas i kërkoi kapitenit argjentinas të ndërronin fanellat, kërkesë të cilën Messi e pranoi.
“E falënderova dhe i thashë: ‘Faleminderit, Leo. Ti je më i miri’. Pastaj e pyeta nëse mund t’i ndërronim fanellat. Leo më tha se do të ma jepte në tunel pas intervistës”.