Katër persona nga Kumanova janë privuar nga liria pasi gjatë një bastisjeje policia gjeti drogë dhe sende të tjera që lidhen me keqpërdorimin e substancave narkotike.

Sipas informacioneve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më 25 korrik 2026, zyrtarët policorë të SPB Kumanovë i privuan nga liria D.I. (55), M.I. (26), R.A. (50) dhe A.P. (46), të gjithë nga Kumanova.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e D.I.-së, i kryer me urdhër gjykate rreth orës 14:00, pronari nuk ndodhej në banesë. Në shtëpi u gjetën djali i tij M.I., shoku i tij R.A. dhe A.P. Gjatë bastisjes u sekuestruan një substancë pluhur, një peshore digjitale, sende me mbetje të një pluhuri të bardhë, metadon dhe sende të tjera.

Pas masave operative të ndërmarra, rreth orës 17:30, D.I. u gjet pranë Memorialit të Eshtërave (Spomen Kosturnica) në Kumanovë. Gjatë kontrollit ndaj tij u gjetën dhe u sekuestruan sende me mbetje të një substance pluhur, një grirëse dhe sende të tjera.

Nga MPB njoftojnë se, pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj katër personave do të ngrihet kallëzimi përkatës penal.