Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Midland në Teksas të Shteteve të Bashkuara, ku një vajzë 2-vjeçare ka humbur jetën pasi dyshohet se është lënë për orë të tëra në një veturë të mbyllur.
Sipas autoriteteve, babai i saj, 25-vjeçari Lorenzo Rodriguez, dyshohet se kishte konsumuar sasi të mëdha alkooli dhe kishte rënë në gjumë në banesë, ndërsa fëmija kishte mbetur brenda automjetit të parkuar jashtë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë një dite me temperatura rreth 35 gradë Celsius. Familjarët, të shqetësuar për babanë dhe vajzën, kishin shkuar në banesë për t’i kontrolluar. Pasi nuk morën përgjigje, ata hynë brenda dhe e gjetën Rodriguezin në gjumë të thellë.
Pasi ai u zgjua, familjarët kuptuan se vajza nuk ndodhej në shtëpi. Pas kontrollit jashtë banesës, vogëlushja u gjet brenda veturës. Ata e nxorën nga automjeti dhe e dërguan me urgjencë në spital, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.
Rodriguez është arrestuar dhe përballet me akuzën për vrasje kapitale lidhur me vdekjen e vajzës së tij.
Rasti ka rikthyer vëmendjen te rreziku i lënies së fëmijëve në automjete gjatë temperaturave të larta, ku edhe pak minuta mund të jenë fatale.