Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur sot pyetjes gazetareske lidhur me rezultatet në bujqësi, në veçanti në fushën e ujitjes, prodhimit të duhanit dhe vreshtarisë, deklaroi:
„Së pari duhet të kujtojmë se si ishte dhe si është. Nuk duhet të harrojmë se akumulimet që përdoreshin për ujitjen e tokave bujqësore, në muajin gusht të vitit 2024, ishin të mbushur vetëm 8%. Sot, niveli i mbushjes së tyre është mbi 70%. Falë menaxhimit të përgjegjshëm dhe mënyrës se si funksionon kjo Qeveri, kapaciteti i mbushjes së akumulimeve është rritur gati nëntëfish, madje pothuajse dhjetëfish.
Së dyti, duhet të përmendet se në SHA Ekonomia e Ujërave, punonjësve nuk u ishin paguar tre paga. Kur flasim dhe kur kritikojmë, veçanërisht kjo vlen për opozitën, duhet të bëjmë edhe një retrospektivë të situatës, se si ishte më parë. Sepse, siç e dini, diçka duhet të krahasoni diçka me diçka tjetër, nuk mund të flisni vetëm mbi bazën e ndjenjave.
Kështu që, unë do ta përmendja edhe këtë fakt, se tre paga nuk ishin paguar, po ashtu edhe në Ndërmarrjen Publike ‘Pyjet Kombëtare’, punonjësve nuk u ishin paguar tre paga. E të mos flas se sa vonoheshin subvencionet, vonoheshin afërsisht sa dy programe vjetore. E gjithë kjo krijonte, do të thosha, shqetësim, pasiguri e kështu me rradhë.
Sot situata është krejtësisht ndryshe. Praktikisht është zhbllokuar kredia prej 80 milionë eurosh nga Banka KfW, mjetet e së cilës do të përdoren për realizimin e tre projekteve të reja në fushën e ujitjes. Dhe mendoj se për projektin ‘Straishtë’ tashmë kemi nisur përgatitjen e tenderit dhe fillimin e zbatimit të tij. Bëhet fjalë për një projekt për të cilin qytetarët e Maqedonisë kanë paguar interes për shtatë vjet me radhë, ndërsa nuk është bërë asgjë. Tani më në fund po fillojmë ta operacionalizojmë gjithë këtë proces.
Kështu që, kur merren parasysh të gjitha këto, vërtet mund të themi se është arritur një përparim jashtëzakonisht i madh në krahasim me gjendjen që trashëguam. E përsëris edhe një herë, dikush nga opozita mund të thotë, mirë, por atëherë gjendja ishte e tillë dhe ne i humbëm zgjedhjet. Megjithatë, ne duhet të krahasohemi me dikë, nuk mund t’i vlerësojmë gjërat vetëm mbi bazën e ndjenjave. Duhet të tregojmë se si ishte më parë dhe si është tani, që të shohim se si të jetë më mirë.
Prandaj, këto politika të kësaj Qeverie do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kjo vlen si për vreshtarinë, ashtu edhe për kultivuesit e duhanit, nga 16 milionë kilogramë duhan, kemi arritur në 26 milionë kilogramë. Nga çmimet prej 150-160 denarë për kilogram, kemi arritur në 420-430 denarë për kilogram. Edhe në vreshtari është shënuar rritje nga 60-70 milionë kilogramë, në 120 milionë kilogramë dhe presim që edhe prodhimi i sivjetshëm të jetë rreth 120 milionë kilogramë. Këta janë tregues të saktë dhe këto janë shifra për të cilat askush nuk mund t’i kontestojë. Vetëm, natyrisht, disa pseudoekspertë të humbur në këtë fushë mund të pretendojnë të kundërtën”.