Janë identifikuar personat e përfshirë në ngjarjen me dhunë në Gostivar, pasi zyrtarët policorë nga DPB Gostivar, menjëherë pas publikimit të videos në rrjetet sociale, ndërmorën një sërë masash dhe aktivitetesh për zbardhjen e plotë të rastit.
Më 02.08.2026 në orën 22:20 në NJPB Gostivar, A.V. (22) nga Gostivari ka denoncuar se po këtë ditë rreth orës 02:30 në rrugën “Borçe Jovanoski” në Gostivar, ai dhe shoku i tij L.E. janë sulmuar fizikisht nga tre persona të panjohur të gjinisë mashkullore, të cilët gjatë sulmit kanë përdorur sende të forta dhe shkopinj druri.
Për ngjarjen menjëherë është njoftuar prokurori publik kujdestar, sipas udhëzimeve të të cilit dhe në koordinim me prokurorin kompetent, zyrtarët policorë nga DPB Gostivar pas masave dhe aktiviteteve të ndërmarra kanë identifikuar tre pjesëmarrësit në ngjarjen me dhunë.
Në stacionin policor për bisedë zyrtare janë thirrur dy të mitur nga Gostivari, të cilëve, me urdhër të prokurorit publik, u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit. Personi i tretë është V.D. (20) nga Shkupi, për të cilin është dërguar telegram deri te SPB Shkup për veprim të mëtutjeshëm.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, gjatë ditës së nesërme, me procedurë të shpejtë, personat me parashtresë përkatëse do të nxirren para gjyqtarit kompetent të procedurës paraprake.