Foster rikthehet pa pagesë shtesë në barnatore, Ministria e Shëndetësisë: Pacientët do të paguajnë vetëm participimin
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, duke filluar nga ky muaj, pacientët e siguruar do të mund ta marrin sërish barin Foster nga barnatoret pa pagesë shtesë, duke paguar vetëm participimin e përcaktuar me ligj për barnat me recetë.
Sipas njoftimit të Ministrisë, ndryshimi vjen pasi kompania mbajtëse e autorizimit për vendosjen në treg të këtij ilaçi ka bërë ndryshime në interes të pacientëve informon Tetovasot.
“Duke filluar nga ky muaj, personat e siguruar do të mund ta marrin përsëri barin në barnatore pa pagesë shtesë, duke paguar vetëm participimin e përcaktuar me ligj për shërbimin e dhënies së barit me recetë”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga Ministria bëjnë të ditur se e njëjta masë do të zbatohet edhe për barnat e tjera që përmbajnë të njëjtët përbërës aktivë dhe përdoren në trajtimin e sëmundjes pulmonare obstruktive kronike (SPOK).
“Ministria e Shëndetësisë vazhdimisht ndërmerr aktivitete që synojnë rritjen e disponueshmërisë dhe mundësimin e qasjes së pacientëve në barna me çmime më të përballueshme”, thuhet më tej në komunikatë.
Ky ndryshim pritet të lehtësojë barrën financiare për pacientët që trajtohen për SPOK dhe përdorin terapinë me Foster ose barna ekuivalente. /Tetovasot