Kuvendi i Kosovës u përfshi sot nga një situatë tensioni, për shkak të ngërçit politik, për ndërtimin e qeverisë së re. Seanca u ndërpre për shkak se në një moment, deputetja e Ardhmërisë së Kosovës, Time Kadrijaj qëlloi me vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë Albin Kurti.

Kadrijaj, ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë luftës së viteve 1998–1999, duke u angazhuar kryesisht si mjeke, në ndihmë të ushtarëve.

Kadrijaj ka deklaruar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë se është bërë pjesë e UÇK në vitin 1998, në Deçan, ku ka shërbyer si mjeke. Ajo dëshmoi në kuadër të procesit gjyqësor ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Pjetër Shala.

Gjatë dëshmisë së saj, Kadrijaj foli për angazhimin e saj gjatë luftës dhe për personat që kishte njohur apo me të cilët kishte pasur kontakte në atë periudhë. Ajo u paraqit në Hagë si dëshmitare e mbrojtjes dhe dëshmoi me kodin Ë04440.

Kadrijaj është mjeke e përgjithshme, me specializim në gjinekologji, ndërsa pas luftës iu bashkua politikës dhe u zgjodh deputete në Kuvendin e Kosovës, duke u bërë pjesë e AAK-së.

Në skenën politike të Kosovës, Kadrijaj është përfshirë shpesh në debate të ashpra me kryeministrin Albin Kurti, duke kritikuar politikat dhe vendimet e qeverisë së tij

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume