Bozhinovska me sekretarin shtetëror të Rajnës Veriore-Vestfalisë, Kristian Virmer: Shkëmbim përvojash për transformimin energjetik dhe integrimin evropian
Ministrja e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, Sanja Bozhinovska, sot në
Shkup zhvilloi një takim me sekretarin shtetëror për Evropën dhe Çështjet
Ndërkombëtare dhe zëdhënësin e qeverisë së landit të Rajnës Veriore-Vestfalisë,
Kristian Virmer.
Në takim u shkëmbyen mendime dhe përvoja për proceset aktuale në sektorin e
energjisë, me theks të veçantë në sigurinë energjetike, diversifikimin e burimeve të
energjisë dhe zhvillimin e një infrastrukture energjetike moderne dhe
konkurruese.
Ministrja Bozhinovska foli për reformat dhe aktivitetet që po zbaton Ministria me synim
sigurimin e furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji, përshpejtimin e
tranzicionit energjetik dhe harmonizimin e politikës kombëtare energjetike me
standardet dhe politikat evropiane.
Theks i veçantë iu kushtua zhvillimit të infrastrukturës së gazit dhe ndërlidhjes
rajonale energjetike, si dhe rëndësisë së projekteve infrastrukturore që kontribuojnë në
rritjen e qëndrueshmërisë dhe sigurisë së sistemit energjetik.
Në takim u diskutua edhe për përvojat e Rajnës Veriore-Vestfalisë në procesin e
transformimit energjetik, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për një nga rajonet më të
rëndësishme industriale të Evropës, i cili paralelisht me zhvillimin ekonomik po zbaton
procese të dekarbonizimit dhe modernizimit të sektorit energjetik.
Gjatë bisedës u theksua rëndësia e shkëmbimit të njohurive, praktikave të mira dhe
përvojave, veçanërisht në fushën e efikasitetit energjetik, burimeve të rinovueshme të
energjisë, modernizimit të infrastrukturës energjetike dhe krijimit të kushteve për
investime të reja.
Bashkëpunimi evropian dhe shkëmbimi i përvojave me rajonet e zhvilluara
evropiane janë një pjesë e rëndësishme e procesit të modernizimit të sektorit
energjetik maqedonas. Për Maqedoninë është veçanërisht e rëndësishme të
shfrytëzojë përvojat e partnerëve evropianë, të cilët tashmë po kalojnë nëpër procese
komplekse të transformimit energjetik.
Në takim u vlerësua se ekzistojnë mundësi për thellimin e bashkëpunimit
institucional dhe për shkëmbim të mëtejshëm të përvojave në fushat me interes të
përbashkët, veçanërisht në kontekstin e integrimit evropian, tranzicionit energjetik dhe
forcimit të ndërlidhjes rajonale energjetike.




