Në çdo gjeneratë ka futbollistë që bien në sy me talentin e tyre, por ka edhe nga ata që fitojnë respektin me kulturën e punës. Te Shkëndija U17, një prej tyre është portieri Roni Rexhepi shkruan Tetovasot.
Roni është një gardian modern, me cilësi që kërkohen gjithnjë e më shumë në futbollin e sotëm. Ai shquhet për reflekset e shpejta, pozicionimin e saktë, lojën e mirë në ajër dhe qetësinë në situatat një kundër një. Nuk është portier që pret vetëm topa; ai organizon mbrojtjen, komunikon vazhdimisht me bashkëlojtarët dhe jep siguri në prapavijë.
Por ajo që e dallon edhe më shumë është profesionalizmi për moshën që ka.
Ai është pothuajse gjithmonë i pari që mbërrin në stërvitje dhe i fundit që largohet nga fusha. Pas seancave të rregullta, vazhdon të punojë individualisht për teknikën, reagimin, daljet dhe përgatitjen fizike. Për Ronin, çdo stërvitje është një provim dhe çdo ditë një mundësi për t’u përmirësuar.
Trajnerët e portierëve e dinë mirë se talenti nuk mjafton pa disiplinë. Pikërisht këtë cilësi Ron Rexhepi e ka kthyer në armën e tij më të fortë. Ai nuk flet shumë, por lë të flasin pritjet, përkushtimi dhe serioziteti i tij.
Në futbollin modern, portieri është lojtari i parë që nis aksionin dhe i fundit që mbron rezultatin. Roni po punon çdo ditë për ta zotëruar këtë rol, duke treguar pjekuri, vetëbesim dhe mentalitet fitues.
Shkëndija ka ndërtuar ndër vite portierë cilësorë dhe Roni Rexhepi ka të gjitha atributet për të ndjekur atë traditë. Me këtë etikë pune, disiplinë dhe dëshirë për t’u zhvilluar, ai konsiderohet një nga portierët premtues të gjeneratës së tij.
E ardhmja nuk u përket gjithmonë më të talentuarve. Ajo u përket atyre që punojnë më shumë. Dhe Ron Rexhepi po dëshmon çdo ditë se është në rrugën e duhur.TS
