Në një ese, bashkëthemeluesi i Microsoft’it ngre alarmin për rreziqet që inteligjenca artificiale mund të sjellë për sigurinë, vendet e punës dhe mirëqenien e fëmijëve.

Për vite me radhë, bashkëthemeluesi i Microsoft’it dhe filantropi Bill Gates thoshte se ishte optimist se, falë inteligjencës artificiale, bota do të bëhej një vend më i mirë. Ai përfytyronte një teknologji që do t’i çlironte njerëzit nga barra e punës dhe do ta përshpejtonte zhvillimin e shpikjeve të reja për luftimin e sëmundjeve dhe ndryshimeve klimatike.

Por në një ese të re, të publikuar online të mërkurën, Gates thotë se tashmë shqetësohet se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë më shumë dëm sesa të mira. Në një intervistë, ai tha se është e drejtë të thuhet se tani ka frikë nga ajo që mund të shkojë keq me AI-në, nëse nuk ndërhyhet urgjentisht.

Gjatë vitit të fundit, Gates thotë se është alarmuar gjithnjë e më shumë nga aftësitë në rritje të kësaj teknologjie për të kryer detyra që deri tani u takonin njerëzve në vendin e punës, si dhe për t’u përdorur në sulme të njëpasnjëshme kibernetike. Por, mbi të gjitha, atë e shqetëson mungesa e përparimit në rregullimin e inteligjencës artificiale dhe në përpjekjet për t’i kufizuar pasojat e saj negative.

Për herë të parë në jetën e tij, tha Gates, e gjen veten duke dëshiruar që një teknologji e re të përparojë më ngadalë.

“Jam i befasuar që ndihem kështu”, tha Gates në intervistë. “Nuk kam parë kurrë një problem që inovacioni nuk mund ta zgjidhë.”

Në esenë e tij, Gates sugjeron disa mënyra për t’iu përgjigjur rreziqeve të inteligjencës artificiale, përfshirë rezervimin e disa vendeve të punës vetëm për njerëzit, ndërsa paralajmëron se së shpejti do të ketë më shumë për të thënë rreth zgjidhjeve konkrete në nivel politikash.

Edhe pse Gates nuk është i përfshirë në përditshmërinë e kompanive të inteligjencës artificiale, ai mbetet një nga figurat më të njohura amerikane në botën e teknologjisë dhe filantropisë. Paralajmërimet e tij vijnë pas atyre të shumë drejtuesve aktivë të kompanive të AI-së, të cilët kanë shprehur ndjenja të përziera, madje edhe frikë, për teknologjinë që vetë po zhvillojnë.

Shqetësimet e Gates-it përqendrohen në tri kategori kryesore: kërcënimet ndaj sigurisë, përfshirë sulmet kibernetike të mundësuara nga AI, armët biologjike dhe mashtrimet; zhdukjen e vendeve të punës për shkak të inteligjencës artificiale dhe robotëve të fuqizuar prej saj; si dhe rreziqet për mirëqenien e fëmijëve, përfshirë mundësinë që AI të pengojë zhvillimin e aftësive të tyre për të mësuar apo të dëmtojë marrëdhëniet e tyre njerëzore.

Gates nuk është aspak i pari që ngre shqetësime të tilla për inteligjencën artificiale. Por, sipas tij, ajo që ka ndryshuar është se më parë besonte se anët negative të AI mund të mbaheshin nën kontroll.

Ky besim filloi të zbehej gjatë muajve të fundit, ndërsa inteligjenca artificiale i tejkaloi pritshmëritë e Gates në programimin e softuerëve dhe në mundësimin e formave të reja të sulmeve kibernetike, zhvillime që ai i përshkroi si “marramendëse”.

Ai tha se industria e inteligjencës artificiale nuk mund ta rregullojë vetveten dhe i bëri thirrje qeverisë amerikane të marrë rol udhëheqës, duke ndërhyrë për të zbutur rreziqet që AI paraqet për sigurinë kombëtare, vendet e punës dhe mirëqenien e fëmijëve.

“Pikëpamja ime themelore është se askush nuk është shfaqur për ta marrë këtë përgjegjësi”, tha Gates. “Prandaj, kjo është një thirrje alarmi, dhe dua që kjo çështje të trajtohet në mënyrë dypartiake.”

Në intervistë, Gates pranoi se njerëzit mund t’i shpërfillin pikëpamjet e tij për shkak të dëmit që i është shkaktuar reputacionit të tij nga lidhjet me Jeffrey Epstein, të dënuar për krime seksuale. Gates përsëriti se ndihej “i penduar” për atë që e quajti “një gabim shumë të rëndë”, kontaktet me Epstein në kuadër të përpjekjeve për të siguruar fonde. Gates ka deklaruar më parë se nuk kishte dijeni për krimet e Epstein.

Në esenë e tij, Gates paraqet në vija të përgjithshme disa propozime politike për t’iu përgjigjur frikës së tij lidhur me inteligjencën artificiale. Mes tyre janë krijimi i kornizave të gjera kombëtare dhe ndërkombëtare për trajtimin e rreziqeve që teknologjia sjell për sigurinë, vendet e punës dhe fusha të tjera.

Ai përfytyron një bashkëpunim ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur politikë, ekspertëve të fushave përkatëse dhe qytetarëve për mbikëqyrjen e inteligjencës artificiale. Kjo ide ka disa ngjashmëri me propozimin e Demis Hassabis, një prej figurave më me ndikim në fushën e AI, për krijimin e standardeve ndërkombëtare të sigurisë së inteligjencës artificiale, të hartuara nga një trupë ekspertësh.

Idetë e Gates për një ndërhyrje më të madhe të qeverisë në fushën e inteligjencës artificiale mund të hasin në kundërshtimin e përkrahësve të AI në administratën Trump dhe në Silicon Valley. Ata argumentojnë se një rregullim më i lehtë e përshpejton shfrytëzimin e përfitimeve të inteligjencës artificiale dhe garanton dominimin e Amerikës në një teknologji me rëndësi jetike.

Administrata Trump, kohët e fundit, ka shfaqur luhatje në mënyrën se si duhet trajtuar një teknologji që, nga njëra anë, u mundëson aktorëve dashamirës t’i ndalojnë sulmet kibernetike, por, nga ana tjetër, u jep kriminelëve mjete edhe më të fuqishme për t’i ndërmarrë ato.

Gates paraqet gjithashtu disa mënyra për të zbutur pasojat e mundshme të humbjes së vendeve të punës për shkak të AI, përfshirë vendosjen e taksave të reja mbi inteligjencën artificiale, një qasje që është bërë gjithnjë e më popullore në qarqet liberale progresiste.

Ai propozon gjithashtu atë që e quan “Human Reserved”, pra, rezervimin e disa profesioneve apo vendeve të punës ekskluzivisht për njerëzit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume