Gazetarja e Klan Kosovës, Rina Mujku, e cila e ka përcjellë pikë e presje procesin më të madh gjyqësor të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, ka bërë një reagim, pas aktgjykimit dënues të 16 shtatorit ndaj katërshes së UÇK-së.
Pas këtij vendimi të shkallës së parë, Mujku ka shkruar se tashmë Apeli duhet t’i vlerësojë faktet veç e veç, ose më saktë ta kryejë punën kryesore të trupit gjykues, transmeton Klankosova.tv
Ajo ka ironizuar, se në bazë të aktgjykimit të shpallur dje, po del se gjykata ka lexuar vetëm dosjen përfundimtare të ZPS-së.
“Dhomës së Apelit në Speciale tash i duhet veç ta kryejë punën kryesore të Trupit Gjykues të Themelores. T’i vlerësojë faktet e njëmendta një nga një.
Përndryshe po duket se për 210 ditë nga 18 shkurti deri dje, paneli ka lexuar vetëm dosjen përfundimtare të Prokurorisë dhe e ka zgjeruar pak…” – ka shkruar Mujku.
Madje, gazetarja e ka gjykuar pikërisht gjykimin e trupit gjykues, që në verdikt nuk e ka përmendur faktin bazik, se synimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ishte liria dhe pavarësia, nuk janë kriminale.
“Ky Trup Gjykues nuk e ka gjykuar të nevojshme as gjënë më bazike, ta shkruajë në Aktgjykim se synimi i UÇK-së për lirinë e pastaj Pavarësinë e Kosovës nuk ka qenë as kriminal as joligjor. Ironike, të paktën Pavarësia, pas Kuvendit të Republikës së Kosovës, është vulosur disa herë tjera – po në HAGË.”
Gjykata Speciale i shpalli fajtorë katërshen e UÇK-së për krime lufte dhe i dënoi Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim secilin veç e veç, kurse Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13. Klankosova.tv