Tetovë – Një aksion i gjerë policor në rajonin e Tetovës ka çuar në arrestimin e katër personave të dyshuar për veprat penale “vjedhje” dhe “vjedhje e rëndë”, ndërsa janë sekuestruar armë zjarri, sasi e madhe municioni, automjete dhe sende që dyshohet se rrjedhin nga veprat penale, raporton Tetovasot.

Sipas MPB-së, më 19 shtator, në Tetovë u arrestuan S.U. (26) nga Pallçishti i Poshtëm dhe A.E. (34) nga Likova. Gjatë operacionit u konfiskua një veturë “Audi” me targa të Kumanovës, ndërsa në disa lokacione në Kamenjan dhe Pallçisht u gjetën një pushkë gjuetie, një karabinë, sasi e madhe municioni dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me aktivitet kriminal.

Po atë ditë, me urdhër gjykate, policia kreu bastisje në shtëpinë e B.U. (26) në Pallçishtin e Poshtëm, i cili gjithashtu u arrestua. Ndërkohë, në orët e para të 20 shtatorit, në polici u dërgua edhe A.A. (34) nga fshati Hotël i Likovës, i arrestuar më herët nga SPB Kumanovë, ndërsa iu konfiskua edhe një automjet “Volkswagen Polo”.

Të katër personat janë ndaluar në stacion policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohen kallëzime përkatëse penale, raporton Tetovasot.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume