Antonio Guterres ka hapur të martën punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), me fjalimin e tij të fundit si sekretar i Përgjithshëm i organizatës.

Duke folur para një numri të madh liderësh botërorë, të cilët janë mbledhur në New York këtë javë, Guterres ka paralajmëruar se ndarjet në botë po thellohen.

“Çarjet janë shndërruar në kanione…Janë hapur ndarje gjeopolitike dhe pabarazitë janë thelluar”, është shprehur ai.

Në fjalimin e tij, Guterres ka vënë në pah edhe rreziqet që mund të sjellë inteligjenca artificiale, në një kohë kur shqetësimet për zhvillimin dhe përdorimin e kësaj teknologjie janë në rritje. Ai ka paralajmëruar gjithashtu për rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike.

“Njerëzit po ua kalojnë gjithnjë e më shumë pushtetin makinerive, ndërsa agjentët artificialë po dalin jashtë kontrollit”, ka thënë ai.

Guterres ka paralajmëruar edhe për përdorimin e armëve autonome të bazuara në inteligjencën artificiale.

Armët autonome me inteligjencë artificiale po kalojnë nga “fantashkenca në realitetin ushtarak”, ka shtuar ai.

“Megjithatë, institucionet dhe sistemet tona të qeverisjes vazhdojnë të pasqyrojnë realitetet e pushtetit dhe interesat e një epoke që i përket kryesisht së shkuarës”, ka thënë ai.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume