Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në zonën rurale të Valloscura-s, pranë kufirit me Capodarco të Fermos në Itali, ku u gjet trupi i pajetë i një 53-vjeçari shqiptar, banues në Porto San Giorgio.

Trupi u zbulua nga disa punëtorë që po kalonin në zonë, të cilët vunë re se personi nuk kishte shenja jete dhe njoftuan menjëherë shërbimin e emergjencës 118.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e urgjencës, zjarrfikësit dhe policia, të cilët konstatuan se viktima kishte ndërruar jetë prej disa orësh.

Sipas të dhënave paraprake, në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune apo elementë që sugjerojnë përfshirjen e personave të tjerë.

Hetuesit dyshojnë se vdekja ka ndodhur gjatë natës ose në orët e para të mëngjesit.

Me autorizim të prokurorit, trupi u transportua në morgun e spitalit të Fermos, ku do të qëndrojë deri në përfundimin e procedurave dhe dorëzimin te familjarët.

Sipas hetuesve, 53-vjeçari nuk kishte shfaqur shenja shqetësimi para personave që e njihnin, ndërsa në sendet personale nuk u gjetën mesazhe apo shënime që mund të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume