Policia gjermane ka shpallur në kërkim publik 23-vjeçarin Albin Bejtullahu, shtetas kosovar nga Vushtrria, i dyshuar për përfshirje në vrasjen e një 15-vjeçari në qytetin Marsberg të Gjermanisë.

Ngjarja ka ndodhur të shtunën, më 19 shtator, rreth orës 20:30. Sipas Policisë së Dortmundit dhe Prokurorisë së Arnsbergut, pas një përleshjeje, 15-vjeçari ka pësuar plagë të rënda nga mjet i mprehtë dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, raporton Bild.

Në të njëjtën përleshje, një 18-vjeçar nga Marsbergu ka mbetur i plagosur rëndë dhe është dërguar për trajtim në spital, përcjell Insajderi.

Policia gjermane ka publikuar fotografitë e dy të dyshuarve, Albin Bejtullahut, 23-vjeçar, dhe Alex Olntasit, 22-vjeçar, të cilët janë nga Hamm dhe ndodhen ende në arrati. Për të dy është lëshuar urdhër-arresti nën dyshimin për vrasje dhe lëndim të rëndë trupor.


Albin Jetullahu

Sipas autoriteteve gjermane, përleshjes fatale i ka paraprirë një konflikt verbal mes dy të dyshuarve dhe një grupi personash nga Marsbergu dhe Rütheni, pjesë e të cilit ishin edhe dy viktimat. Më pas situata ka eskaluar në përleshje fizike.

Policia dhe prokuroria kanë kërkuar ndihmën e qytetarëve për gjetjen e dy të dyshuarve, ndërsa kanë bërë të ditur se aktualisht nuk ekziston rrezik për publikun.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume