Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të Nju Jorkut, Zohran Mamdani, përpara udhëtimit të tij drejt Shteteve të Bashkuara, ku pritet të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Netanyahu e ka akuzuar Mamdanin për mbështetje ndaj Hamasit dhe ka deklaruar se gjatë fjalimit të tij në OKB do të flasë për ushtarët izraelitë, si dhe për qëndrimet e kryetarit të Nju Jorkut.

“Turp për ty, zoti Mamdani. Turp për ty që mbështet përbindëshat e Hamasit, të cilët vranë njerëzit tanë. Unë po shkoj në OKB. Do të tregoj të vërtetën për ushtarët tanë heroikë dhe do të tregoj të vërtetën për ty”, tha Netanyahu.

Mamdani, nga ana tjetër, e ka kritikuar vazhdimisht kryeministrin izraelit. Në një intervistë për CNN, ai e ka cilësuar Netanyahun si “kriminel lufte” dhe “arkitektin e gjenocidit të tmerrshëm ndaj popullit palestinez”.

Ai gjithashtu ka deklaruar se urdhërarresti i lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare ndaj Netanyahut duhet të zbatohet.

Përplasja verbale mes dy politikanëve vjen në një kohë kur lufta në Gaza dhe veprimet e qeverisë izraelite vijojnë të jenë ndër çështjet kryesore të diskutimeve ndërkombëtare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume