Kanë kaluar një javë nga shpallja e aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes në Kosovë.

Gazetari Adriatik Kelmendi, i cili ishte i pari që raportoi për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të UÇK-së, ka rrëfyer në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova se si e përjetoi nga afër ditën e aktgjykimit, transmeton Klankosova.tv.

Kelmendi tha se ajo ishte hera e vetme kur nuk ishte i lumtur që kishte arritur ta siguronte lajmin para mediave të tjera.

“Unë kisha gjetur mënyrën se si të qëndroja në ndërtesën ku mbahej gjykimi, por jo të shkoja në sallën ku ndalohen telefonat. Isha në sallën ku ishin edhe gazetarë të tjerë, por kisha gjetur mënyrën se si të merrja vesh se çka po ndodhte në sallën e gjykimit, pa e pritur 10-minutëshin e vonesës”, ka deklaruar Kelmendi.

Ai nuk ka treguar se si kishte arritur të siguronte informacionin nga brenda, duke e mbajtur të pazbuluar mënyrën e raportimit të lajmit para mediave të tjera.

“Klani i ka pasur rreth 10 minuta më parë lajmet për dënimet nga të gjitha mediat tjera”, tha Kelmendi.

Gazetari theksoi se, ndonëse profesionalisht ishte një moment i rëndësishëm për të qenë i pari që e raportonte një zhvillim të tillë, pesha e lajmit e bëri atë një situatë krejtësisht tronditëse.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume