Kosova mund të mbajë zgjedhje të reja parlamentare më 15 nëntor 2026, nëse Kuvendi dështon ta zgjedhë Presidentin e Republikës deri më 6 tetor, afat ky i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese në vendimin e publikuar të mërkurën.

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Në rast se deputetët nuk arrijnë ta zgjedhin kreun e shtetit brenda këtij afati, Kuvendi shpërndahet dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Sipas nenit 66 të Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit. Nëse Kuvendi shpërndahet më 6 tetor, afati për organizimin e zgjedhjeve përfundon më 20 nëntor.

Duke qenë se zgjedhjet parlamentare në Kosovë zakonisht organizohen të dielave, 15 nëntori është e diela e fundit brenda këtij afati. Kjo e bën atë një datë të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, nëse nuk arrihet marrëveshje për Presidentin. Data përfundimtare, megjithatë, duhet të caktohet zyrtarisht.

Vendimi i Kushtetueses vjen në një periudhë të përplasjeve politike ndërmjet partive parlamentare lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e institucioneve të reja.

Gjykata ka konstatuar gjithashtu se Kuvendi është konstituuar pas tejkalimit të afatit kushtetues prej 30 ditësh, por se vendimi i 13 shtatorit për zgjedhjen e Qeverisë nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo ka kërkuar që deputetët ta zgjedhin sa më parë edhe nënkryetarin e Kuvendit nga grupi i dytë më i madh parlamentar.

Nëse partitë parlamentare nuk arrijnë ta përfundojnë procesin e zgjedhjes së Presidentit deri më 6 tetor, Kosova do të përballet me një tjetër proces zgjedhor, vetëm pak muaj pas zgjedhjeve parlamentare të qershorit.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume