Gjeneralmajori Yahya Rahim Safavi, këshilltar i lartë ushtarak i Udhëheqësit Suprem të Iranit, Ali Khamenei, paralajmëroi të enjten se një luftë e re e mundshme me Shtetet e Bashkuara mund të përhapet në Oqeanin Indian, nëse Irani vihet sërish në shënjestër të sulmeve.
Safavi deklaroi se forcat e armatosura iraniane kanë përgatitur plane emergjence për skenarët më të këqij, raportoi agjencia e lajmeve Fars.
“Ne nuk e dimë se çfarë po ndodh në mendjet e presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu”, tha Safavi.
Ai paralajmëroi se sulmet e mëtejshme amerikane ose izraelite ndaj objekteve apo interesave iraniane mund të zgjerojnë ndjeshëm shtrirjen gjeografike të konfliktit.
“Tani që lufta është përhapur nga Gjiri dhe Ngushtica e Hormuzit në Detin e Kuq, është e mundur që, në fazën tjetër të një lufte të mundshme me SHBA-në, ky front të zgjerohet më tej, në Oqeanin Indian ose diku tjetër”, citohet të ketë thënë ai.
Ndërkohë, të gjitha fluturimet e operuara nga linjat ajrore iraniane drejt Emirateve të Bashkuara Arabe u anuluan duke nisur nga mesnata e së enjtes, raportuan mediat shtetërore iraniane.
I dyshuar për shpërthimin e Nord Stream, Kroacia lejon ekstradimin e tij në Gjermani
Agjencia e Lajmeve të Studentëve Iranianë (ISNA) citoi një zëdhënës të Organizatës së Aviacionit Civil, i cili konfirmoi pezullimin e fluturimeve.
Po ashtu, një fluturim nga Teherani drejt Dushanbes u detyrua të kthehej në pikën e nisjes të enjten, pasi Turkmenistani nuk u dha linjave ajrore iraniane leje për të kaluar nëpër hapësirën e tij ajrore.
Avioni u rikthye në Aeroportin Ndërkombëtar “Imam Khomeini” në Teheran.