Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka njoftuar se djali i tij, Siyll Lushtaku, është bërë kadet i Ushtrisë së Kosovës.
Ai iu gëzua faktit që i biri po e vazhdon traditën ushtarake të familjes së tij.
“Sot është një nga ato ditët që për mua si prind është vështirë të përshkruhen me fjalë. Një ditë kur krenaria dhe emocionet bëhen bashkë. Sot, biri im, Siylli, u betua si kadet i ri i Ushtrisë së Kosovës, duke nisur një kapitull të ri në rrugëtimin e tij drejt formimit si oficer i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, ka shkruar Lushtaku në Facebook.
“Për mua, ky betim ka një peshë të veçantë. Siylli po vazhdon një traditë ushtarake të familjes sonë, një traditë e lidhur me uniformën, disiplinën, sakrificën dhe mbi të gjitha me dashurinë për atdheun”.
Lushtaku uroi të birin dhe tha se betimi i tij për t’i shërbyer Kosovës e bën krenar atë dhe familjen.
“Ta shoh sot në uniformën e kadetit, mes bashkëmoshatarëve të tij, duke bërë betimin për t’i shërbyer vendit, është krenari për familjen, por edhe një përgjegjësi e madhe për rrugën që sapo ka nisur”.
“Uroj që kjo rrugë të jetë e gjatë, e ndershme dhe e suksesshme, dhe që uniformën e Republikës së Kosovës ta mbajë gjithmonë me nder, dinjitet dhe dashuri!”.