Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar një ofertë të Iranit për një armëpushim shtatëditor dhe u ka thënë bashkëpunëtorëve se pret të nisë sulme të reja pasi të përfundojnë zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, raportoi të premten Wall Street Journal (WSJ), transmeton Anadolu.
MARKETING
Gazeta, duke cituar zyrtarë të njohur me çështjen, tha se negociatorët iranianë e kanë paraqitur ofertën përmes ndërmjetësve në Katar, duke propozuar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe rifillimin e bisedimeve bërthamore nëse Washingtoni do t’i jepte fund bllokadës detare ndaj porteve iraniane.
Zyrtarët amerikanë i kanë thënë Teheranit dhe ndërmjetësve se nuk ka plan për heqjen e bllokadës, duke vlerësuar se presioni i vazhdueshëm ekonomik përfundimisht do ta detyrojë Iranin të arrijë një marrëveshje sipas kushteve të Washingtonit, raportoi gazeta.
Sipas saj, Trump gjatë luftës shtatëmujore ka kaluar nga përpjekjet diplomatike te veprimet ushtarake dhe presioni përmes sanksioneve, ndërsa brenda administratës ka shprehur dyshime se Teherani do të pranojë të çmontojë programin e tij bërthamor, pavarësisht deklaratave publike se Irani është i gatshëm të arrijë marrëveshje pas zgjedhjeve.
Gazeta shtoi se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit ka hedhur poshtë kushtet e reja për një marrëveshje, duke kërkuar rikthimin e disa elementeve të marrëveshjes paraprake të qershorit dhe duke thënë se është i gatshëm për një konflikt të zgjatur.