Tre shtetas shqiptarë ndodhen ende nën rrënojat e një ndërtese në Athinë, pas shpërthimit të fuqishëm që ndodhi një ditë më parë në zonën e Plakës.
Siç bën me dije korrespondenti i Top Channel në Greqi, Artur Bibe, në total, gjashtë persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionin e kërkim-shpëtimit.
Shpërthimi ndodhi pak para orës 08:00, në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në rrugën Lysikratous, përballë Shtyllave të Zeusit Olimpik. Si pasojë e shpërthimit, ndërtesa u shemb, ndërsa një kalimtar u plagos lehtë nga copëzat e shpërndara.
Forcat zjarrfikëse ndërhynë edhe në një ndërtesë pranë vendit të ngjarjes, nga ku nxorën dy gra, njëra prej tyre e moshuar. Të dyja u transportuan në spitalin “Georgios Gennimatas” për të marrë ndihmën e parë.
Ndërkohë, kërkimet vijojnë për personat që dyshohet se ndodhen nën rrënoja, mes tyre edhe tre shqiptarët.