Papa Leoni ka kundërshtuar fort eutanazinë, duke deklaruar nga Lourdes se fakti që një veprim është i ligjshëm nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai është edhe moralisht i drejtë.
Gjatë vizitës së tij në Lourdes, Papa iu drejtua pacientëve dhe personave me aftësi të kufizuara që merrnin pjesë në një pelegrinazh, duke theksuar rëndësinë e dinjitetit njerëzor.
“Është e pamundur që të konsiderohet normale shkaktimi i vdekjes”, deklaroi Papa Leo, duke shtuar se asnjë ligj njerëzor nuk duhet t’i bëjë njerëzit të humbasin bindjen për dinjitetin e tyre.
Ai u shpreh kundër heqjes së jetës në emër të asaj që e cilësoi si “një dhembshuri të rreme”, duke argumentuar se dinjiteti i patjetërsueshëm i njeriut duhet të jetë në themel të çdo vendimi.
Pas vitesh debatesh, e drejta për eutanazi, e konsideruar si një nga reformat e rëndësishme sociale të presidencës së Emmanuel Macron, u miratua më 15 korrik nga Asambleja Kombëtare e Francës. Vendimi është kundërshtuar nga Kisha Katolike në Francë, e cila e ka cilësuar atë si një “çarje antropologjike”.
“Edhe në të ardhmen, mjekësia nuk mund të bëhet kurrë shërbëtore e një vdekjeje të programuar”, u shpreh Papa Leo.
Gjatë fjalës së tij, ai bëri thirrje për zhvillimin e vazhdueshëm të kujdesit paliativ dhe kërkimit mjekësor, si dhe për një shoqëri që i shoqëron pacientët me kujdes dhe dhembshuri.
“Të dashur vëllezër e motra pacientë, dua t’ju them: ju nuk jeni barrë. Ju jeni zemra rrahëse e njerëzimit tonë dhe një thesar i çmuar për Kishën”, tha Papa.
Pas përfundimit të fjalimit, Leo përshëndeti dhe bekoi besimtarët që kishin dalë për ta pritur, mes tyre edhe pelegrinë që lëviznin me karrige me rrota.