Universiteti i Tetovës dhe KF “Shkëndija” më 23 shtator 2026, nënshkruan Memorandum
bashkëpunimi, duke vendosur bazat për një partneritet më të gjerë në fushën e arsimit, sportit,
kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional. Marrëveshja u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të
Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe drejtori ekzekutiv i KF “Shkëndija”, z. Valdrin Uka.
Në takim, nga Universiteti i Tetovës morën pjesë edhe Prorektori për Arsim, Prof. Dr. Vullnet
Ameti, Sekretari i Përgjithshëm, z. Adem Beadini, dhe udhëheqësja e Zyrës për Bashkëpunim
Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari Zeqiri. Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i KF “Shkëndija”
shoqërohej nga Erblir Luma, sekretar i KF Shkëndija, Festim Ademi, nga Departamenti i Sportit,
dhe Faton Zylbehari, nga Departamenti për Media dhe PR.
Ky bashkëpunim synon të ndërthurë potencialin akademik dhe shkencor të Universitetit me
përvojën profesionale dhe sportive të KF “Shkëndija” duke krijuar mundësi konkrete për studentët,
sportistët, stafin akademik dhe profesionistët e klubit.
Në kuadër të partneritetit parashihen praktika profesionale për studentët e UT-së në strukturat e
klubit, përfshirja e ekspertëve të KF “Shkëndija” në ligjërata, seminare dhe aktivitete akademike, si
dhe realizimi i kërkimeve shkencore dhe testimeve sportive. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet
monitorimit të performancës, përgatitjes fizike, ushqimit sportiv dhe rehabilitimit të sportistëve.
Një segment i rëndësishëm është edhe programi për karrierën e dyfishtë (Dual-Career), që synon të
mbështesë futbollistët e rinj në zhvillimin paralel të karrierës sportive dhe arsimimit universitar.
Bashkëpunimi përfshin gjithashtu aplikimin në projekte vendore dhe ndërkombëtare, organizimin e
konferencave, seminareve dhe aktiviteteve sportive, duke vënë dijen akademike dhe përvojën
profesionale në funksion të zhvillimit të kuadrove të reja dhe avancimit të sportit.








