Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, gjatë paraqitjes së tij në emisionin “Nën thjerrë” të televizionit Alfa, duke folur për vizitën në SHBA, theksoi se delegacioni qeveritar pati një ofensivë aktive diplomatike, u realizuan disa takime ekonomike dhe politike, të gjitha me qëllim zhvillimin e Maqedonisë.

“Vizitën në SHBA do ta ndaja në dy pjesë, në Uashington dhe Nju Jork. Në Uashington patëm takime që për mua janë takime me karakter thelbësor, por edhe politik. Nga takimet në Kongres, veçanërisht do ta veçoja takimin në Agjencinë Financiare të Zhvillimit (DFC), e cila praktikisht në këtë moment ka një portofol financiar prej më shumë se 250 miliardë dollarësh.

Aty biseduam për bashkëpunimin e mundshëm për projekte të caktuara të cilave mund t’i drejtohemi, e që do të financoheshin nga ana e tyre. Nga ana jonë u prezantua projekti ynë kapital, e ky është projekti Çebren dhe Gallishte, për të cilin me dekada përpiqemi të gjejmë një investitor privat, mirëpo kushtet e tregjeve kudo në botë, madje edhe në Evropë, janë të tilla që atë projekt në këtë moment ta shqyrtojmë si investim tonin vendor shtetëror”, thotë kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski shtoi se DFC është tashmë e pranishme në Maqedoni përmes financimit të zhvillimit të projekteve për antimonin në Kërstov Doll, kështu që tashmë kanë një lloj përvoje.

“Me Karolin Vik, e cila është përgjegjëse, nënkryetare e Korporatës së Financimit të Zhvillimit dhe përgjegjëse për investime, vlerësoj se patëm një bisedë mjaft të suksesshme dhe nga ajo bisedë mund të jem optimist. E dini, pas atyre bisedave, ajo që pason është e rëndësishme dhe me peshë, do ta përpunojmë më tej projektin, çfarë e kemi idenë, se kush duhet të jetë investitor, kush ta lehtësojë atë projekt.

Nëse mbajtës i atij projektit do të jetë SHA EMV, dikur ELEM, ata megjithatë janë një kompani ku Qeveria është pronare dhe ata duhet të respektojnë Ligjin për Prokurim Publik, të shpallin thirrje për gjetjen e një strukture financiare e cila do ta financonte dhe do të siguronte burime për atë projekt, unë pres që në atë projekt të paraqitet edhe DFC së bashku me huadhënësit e tjerë”, theksoi kryeministri Mickoski.

Kryeministri Mickoski theksoi se është e rëndësishme të keni disa vende ku ju do të prezantoni atë që dëshironi të punoni, ndërsa ata më tej do ta zhvillojnë atë projekt dhe do të shfaqin interes, dhe kjo është shumë e rëndësishme dhe thelbësore.

“Qëndrimet tona politike si Qeveri i transmetuam në atë debat dhe ngjarje që e patëm në Këshillin Atlantik. Mendoj se në atë pjesë dërguam mesazhe mjaft të fuqishme dhe të qarta se cilat janë prioritetet e politikave të kësaj Qeverie, pastaj patëm edhe një pjesë të mbyllur e cila bazohet në Rregullin e Çatham Haus (Chatham House Rule). Aty ishin të pranishëm shumë përfaqësues diplomatikë nga rajoni, por edhe nga Evropa, ku biseduam”, deklaroi kryeministri Mickoski.

Lidhur me pjesën fillestare të vizitës në Kombet e Bashkuara, ku u mbajt Asambleja e Përgjithshme, kryeministri Mickoski theksoi se qëllimi ishte, ndër të tjera, edhe takimet me disa prej liderëve në rajon, por edhe takimi me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guteresh.

“Në këtë mënyrë biseduam për atë që na pret në periudhën që vijon, por edhe cilat janë planet tona për bashkëpunim të mëtejshëm. Me Sekretarin e Përgjithshëm Guteresh i diskutuam sërish prioritetet në skenën ndërkombëtare, nga ai morëm mbështetje të madhe, madje do të thosha edhe mirëkuptim për zhgënjimet që i kemi kur bëhet fjalë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, është i vendosur kryeministri Mickoski.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume