Sipas një studimi të Universitetit të Cyrihut, të mbështetur nga Fondi Kombëtar Zviceran për Shkencë, përqindja e burrave që punojnë me orar të pjesshëm është rritur nga rreth 10 për qind në vitin 2000 në mbi 20 për qind aktualisht.

Gjithnjë e më shumë burra në Zvicër po zgjedhin të punojnë me orar të pjesshëm. Përqindja e tyre është më shumë se dyfishuar që nga viti 2000, ndërsa Zvicra renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të punonjësve part-time në mesin e shteteve të OECD-së.

Sipas një studimi të Universitetit të Cyrihut, të mbështetur nga Fondi Kombëtar Zviceran për Shkencë, përqindja e burrave që punojnë me orar të pjesshëm është rritur nga rreth 10 për qind në vitin 2000 në mbi 20 për qind aktualisht.

Rritja është dukshëm më e madhe se mesatarja e vendeve të OECD-së. Në të njëjtën periudhë, përqindja e burrave me punë part-time në vendet e OECD-së është rritur vetëm nga rreth 8 për qind në më pak se 13 për qind, transmeton albinfo.ch.

Zvicra e dyta në OECD

Në përgjithësi, rreth 40 për qind e popullsisë aktive në Zvicër punon me orar të pjesshëm, duke e vendosur vendin në pozitën e dytë mes 38 shteteve të OECD-së, menjëherë pas Holandës.

Megjithatë, dallimi mes grave dhe burrave vazhdon të jetë i konsiderueshëm. Sipas Zyrës Federale të Statistikave, gjatë vitit 2025 rreth 60 për qind e grave të punësuara punonin me orar të reduktuar, krahasuar me rreth 20 për qind të burrave.

Studimi, i realizuar nga sociologu Jan Müller i Universitetit të Cyrihut dhe profesoresha Youngjoo Cha nga Universiteti i Indianës në Bloomington, ka analizuar të dhënat e mbledhura ndërmjet viteve 2004 dhe 2020, duke shqyrtuar faktorët që ndikojnë në vendimin e burrave për të reduktuar orarin e punës.

Kultura në vendin e punës luan rol të rëndësishëm

Rezultatet tregojnë se kultura profesionale ka ndikim të madh. Në profesionet ku mbizotëron ende modeli tradicional i burrit si siguruesi kryesor i të ardhurave të familjes dhe ku kërkohet përkushtim i lartë ndaj punës, burrat kanë më pak gjasa të zgjedhin një angazhim me orar të pjesshëm.

Në të kundërt, në sektorët ku kompanitë dhe punëdhënësit mbështesin më shumë ekuilibrin ndërmjet jetës profesionale dhe asaj private, burrat janë më të prirur të reduktojnë përqindjen e punës.

Java e gjatë e punës ndikon në vendim

Një tjetër faktor lidhet me kohëzgjatjen e javës së punës në Zvicër. Një vend pune me angazhim 100 për qind nënkupton zakonisht gati 42 orë punë në javë, më shumë se mesatarja e OECD-së.
2
Për këtë arsye, reduktimi i përqindjes së punës mund të jetë veçanërisht tërheqës. Pagat relativisht të larta në Zvicër gjithashtu bëjnë që një vendim i tillë të jetë financiarisht më i realizueshëm për shumë punonjës sesa në vende të tjera. Sipas studiuesve, kontratat part-time në Zvicër janë gjithashtu të qëndrueshme dhe ofrojnë siguri të krahasueshme me kontratat me orar të plotë.

Studiuesit vërejnë edhe një dallim me vendet skandinave. Atje, organizimi shoqëror është orientuar më shumë drejt mundësisë që të dy prindërit të punojnë me orar të reduktuar. Në Zvicër, modeli tradicional ku gratë punojnë part-time vazhdon të jetë i përhapur, por tashmë edhe gjithnjë e më shumë burra po ndjekin të njëjtën rrugë.

Autorët theksojnë gjithashtu kufizimet e studimit: analiza është përqendruar te burrat që fillimisht punonin me orar të plotë dhe bazohet në të dhëna të disponueshme për një periudhë 16-vjeçare.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume