Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka treguar se sot është mbajtur mbledhja e radhës e Kryesisë së Aleancës, e para pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.
Gjini tha se Aleanca vazhdon të jetë e prerë në qëndrimin e saj ndaj Speciales, ndërsa kërkoi që ndihma ligjore për ish-krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtja e të drejtës shtetërore të Kosovës të mos përzihen me politika partiake.
Ai kritikoi zvarritjen e procesit për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se afrimi i fundit të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe, siç i quajti ai, tendencat për manovra me afate e lëndë të reja në Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë paqartësi edhe më të madhe për qytetarët.
Postimi i plotë:
Sot mbajtëm mbledhjen e radhës të Kryesisë së Aleancës, të parën pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para afatit të fundit për zgjedhjen e presidentit.
Aleanca vazhdon të jetë e prerë nga fillimi në raport me Specialen, derisa, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha palët që procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës tonë shtetërore në asnjë moment të mos e ngaterrojmë me politika partiake.
Gjithashtu, zvarritja e mëtejshme e procesit për zgjedhjen e presidentit duke shkuar drejt fundit të afatit të caktuar nga Kushtetuesja dhe tendencat për manovra me afate dhe lëndë të reja në Gjykatën Kushtetuese, rrezikojnë të krijojnë një paqartësi edhe me të madhe, për qytetarin e Kosovës.
Aleanca ka qenë konsistente dhe konstruktive për çdo çështje që lidhet me historinë tonë, me të sotmen dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend.