Gazetari dhe prezantuesi i televizionit publik ugandas, Edward Rukindi Kitzanangoma Nyabongo II, është shpallur mbreti i ri i mbretërisë tradicionale të Toro-s.
56-vjeçari pason kushëririn e tij të ndjerë, Oyo Nyiba Kabamba Iguru Rukindi IV, i cili u kurorëzua mbret në moshën vetëm 3-vjeçare dhe, sipas Librit të Rekordeve Guinness, ishte monarku më i ri në botë në atë kohë.
Rukindi IV ndërroi jetë në fund të gushtit në Shtetet e Bashkuara, në moshën 34-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Pas vdekjes së tij, një komitet i posaçëm prej 21 pleqsh u ngarkua me përcaktimin e pasardhësit.
Zgjedhja e Kitzanangomës nuk kaloi pa debate brenda familjes mbretërore. Nëna Mbretëreshë, Best Kemigisa, dhe vajza e saj, Princesha Ruth Komundale, kundërshtuan vendimin, duke pretenduar se Rukindi IV kishte lënë një djalë biologjik që duhej të pasonte fronin.
Ato paraqitën edhe një testament ku djali përmendej si pasardhës. Megjithatë, komiteti mbretëror deklaroi se fëmija nuk ishte paraqitur para pleqve dhe nuk kishte kaluar ceremonitë tradicionale të njohjes që kërkohen për një pasardhës mbretëror.
Sipas komitetit, kandidati për fronin duhet të jetë gjithashtu i arsimuar dhe i përgatitur për të marrë përgjegjësitë e udhëheqjes. Për këtë arsye, djali i pretenduar i Rukindi IV nuk u konsiderua për fronin.
Mbretërimi i Kitzanangomës nisi në mesnatën e së hënës dhe vijoi të martën me një ceremoni tradicionale 24-orëshe. Ai mbërriti në pallatin mbretëror në Fort Portal pas një beteje të simuluar, pjesë e ritualeve të kurorëzimit.
Para se të mbërrinte në pallat, mbreti i ri kreu edhe disa rituale tradicionale, ndërsa përshkoi më shumë se katër kilometra në këmbë drejt rezidencës mbretërore.
Nga gazetaria në fron
Edward Rukindi Kitzanangoma Nyabongo II i përket fisit Babito dhe është pjesë e familjes së zgjeruar të ish-mbretit George David Rukindi III.
Irani kërcënon me goditje ndaj infrastrukturës në LM nëse nuk garantohet siguria e tij
Ai ka lindur në vitin 1970, në një fshat rreth 300 kilometra nga Kampala. Në vitin 1999 u diplomua për Komunikim Masiv në Universitetin e Kampalës dhe më pas nisi karrierën në media.
Për më shumë se dy dekada ai punoi në industrinë televizive, përfshirë edhe si prezantues lajmesh në televizionin publik të Ugandës.
Tashmë, pas një karriere të gjatë në gazetari, Kitzanangoma ka marrë një rol krejtësisht të ri, duke u bërë udhëheqësi tradicional i mbretërisë së Toro-s.
Toro është një nga katër mbretëritë tradicionale të Ugandës. Ato u shpërbënë në vitin 1967, por u rikthyen në fillim të viteve 1990. Sot, sipas Kushtetutës së Ugandës, mbretëritë kanë rol kryesisht tradicional dhe kulturor, ndërsa mbretërit vijojnë të kenë ndikim në komunitetet e tyre.