Biznesmeni i njohur bullgar dhe presidenti i klubit të futbollit Botev Plovdiv, Iliyan Filipov, është vrarë në qytetin e Plovdivit, raportojnë mediat lokale.
Filipov, i cili ishte pronar i kompanisë së transportit dhe logjistikës PIMK dhe aksionar kryesor i klubit Botev Plovdiv, është qëlluar për vdekje rreth orës 01:00 të së mërkurës, në një pronë në qytet.
Pas vrasjes, autoritetet kanë ndërmarrë masa të shtuara sigurie, ndërsa hyrjet dhe daljet kryesore nga Plovdivi janë bllokuar përkohësisht, raportojnë mediat bullgare.
Prokurorja e Qarkut të Plovdivit, Vanya Hristeva, ka deklaruar se hetuesit po shqyrtojnë të gjitha mundësitë për zbardhjen e rastit.
“Po ndjekim në mënyrë aktive të gjitha pistat e mundshme”, ka thënë Hristeva në një konferencë për media.
Advertisement
Hetimet për vrasjen janë në vazhdim, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur detaje për motivin apo personat e dyshuar për kryerjen e krimit.