VMRO-DPMNE mbetet e përkushtuar për votim të diasporës në mënyrë elektronike ose me postë dhe është e gatshme ta mbështesë financimin publik të partive politike, një propozim që vjen nga E Majta dhe BDI-ja, deklaroi sot Antonio Milloshoski, nënkryetar i Kuvendit dhe përfaqësues i VMRO-DPMNE-së në grupin punues për reforma të legjislacionit zgjedhor i cili duhet të mblidhet në orën 11 në Ministrinë e Drejtësisë. Miloshoski konfirmoi se edhe partia në pushtet, nëse arrihet konsensus, do ta pranojë propozimin për një njësi zgjedhore.
“VMRO-DPMNE do të marrë pjesë në këtë takim pune me një qasje konstruktive dhe të argumentuar me qëllim që ta përfundojmë këtë proces të harmonizimit të Kodit zgjedhor me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, modernizimin e Kodit zgjedhor dhe natyrisht me konsensusin më të gjerë të mundshëm politik. Por është e vërtetë se ka dy probleme. Një problem është se LSDM vendosi ta bojkotojë këtë proces dhe kjo paraqet një handikap, pavarësisht nëse ky vendim lidhet me zhvillimet e brendshme të partisë apo me qëndrimin e partisë ndaj shumicës aktuale qeverisëse dhe tema e dytë, e cila gjithashtu lind është sjellja jokonsistente e partisë E Majta ndaj fondeve të destinuara për reklamim politik në fushatën politike. Në propozim- ligjin, ne tashmë kemi pranuar atë që u ofrua si kompromis nga E Majta dhe BDI-ja bashkërisht dhe tani shohim se ky propozim po problematizohet, por si VMRO-DPMNE jemi të gatshëm të mbështesim bashkërisht çdo gjë për të cilën bien dakord BDI dhe E Majta në aspektin e financimit publik. Kërkesa jonë e vetme është që e drejta e garantuar kushtetuese e çdo qytetari për të ushtruar të drejtën e votës, përfshirë diasporën, të respektohet dhe që teknologjia e re në një mënyrë më moderne, elektronike ose me postë ta lehtësojë procesin e votimit për ata që janë shtetas të Maqedonisë dhe nuk janë rezidentë të shtetit”, tha Milloshoski.