Një mjet i dyshuar shpërthyes është raportuar të jetë gjetur në rrugën “Rrustem Hyseni” në Prishtinë, ku Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka bërë të ditur se Policia ka pranuar informatën rreth orës 17:00 dhe menjëherë ka vendosur perimetrin e sigurisë në zonë.

Sipas tij, qytetarët janë evakuuar nga një pjesë e caktuar e zonës, ndërsa në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e rastit.

“Rreth orës 17:00, kemi pranuar një informatë për një mjet të dyshuar shpërthyes në rrugën ‘Rrustem Hyseni’, në Prishtinë. Menjëherë Policia ka ndërmarrë të gjitha masat e sigurisë në atë zonë. Në një perimetër të caktuar ka evakuuar qytetarët, ndërkohë që janë angazhuar njësitet përkatëse për trajtimin e informatës”, ka deklaruar Pllana.

Ndërkohë, KALLXO ka publikuar fotografi nga vendi i ngjarjes, ku shihet një objekt i ngjashëm me një balonë, i cili dyshohet se ka zbritur nga ajri.

Brenda një pakoje të lidhur me të dyshohet se mund të ketë qenë i vendosur mjeti shpërthyes.

Autoritetet janë duke trajtuar rastin, ndërsa mbetet për t’u konfirmuar nga njësitet kompetente se çfarë është objekti i gjetur dhe nëse paraqet rrezik për qytetarët.