Nga 14 të rinj që këtë vit morën mirënjohjen prestigjioze “Unaza e Inxhinierit”, vetëm një është shqiptare, Arbana Kasami nga Universiteti i Tetovës.

Aleanca për Shqiptarët e konsideron këtë rezultat jashtëzakonisht shqetësues dhe kërkon përgjegjësi e transparencë nga institucionet përkatëse.

Shqiptarët përbëjnë një të tretën e popullsisë së regjistruar në këtë shtet. Si është e mundur atëherë që mes 14 inxhinierëve të përzgjedhur si më të mirët të ketë vetëm një shqiptare?

Problemi nuk është te të rinjtë që e kanë marrë këtë mirënjohje. Secilit prej tyre i urojmë sukses dhe e respektojmë arritjen akademike. Problemi është te një sistem që, sa herë vjen puna te mirënjohjet, pozitat dhe mundësitë, shqiptarët i lë në margjina.

Këtë vit nëntë nga 14 laureatët vijnë vetëm nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, ndërsa nga Universiteti i Tetovës vetëm një.

Kërkojmë të bëhet publike sa kandidatë janë propozuar nga secili universitet dhe fakultet, cilat kanë qenë kriteret konkrete dhe si është zhvilluar procesi i nominimit dhe përzgjedhjes.

Nuk mund të flitet çdo ditë për barazi dhe shoqëri për të gjithë, ndërsa në praktikë shqiptarëve t’u lihet vetëm roli simbolik.

Një shqiptare nga 14 laureatë nuk është përfaqësim që mund të kalojë në heshtje.

Shqiptarët nuk janë dekor në këtë shtet. Janë gati një e treta e popullsisë dhe meritojnë trajtim, mundësi dhe përfaqësim të barabartë në çdo institucion.

Arbana Kasamit i urojmë shumë suksese. Arritja e saj është për t’u respektuar. Por pikërisht suksesi i saj na kujton se sa shumë të rinj shqiptarë të aftë e të shkëlqyer ka ky vend dhe sa pak prej tyre arrijnë të shihen nga institucionet.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume